“Nëpër këtë rrugë kalojnë prindërit që i çojnë fëmijët e tyre për trajtim në Spitalin për sëmundje të mushkërive “Kozle”. Ndonëse autoritetet lokale disa herë kanë premtuar për TV21 se kjo rrugë do të rikonstruktohet dhe do të përmirësohet e njëjta nuk ka ndodhur dhe rruga vazhdon të jetë në të njëjtën gjendje”, raporton Almedina Ismajli, gazetare TV21.
Ish-kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov dhe ai i Komunës së Karposhit Stefan Bogoev patën deklaruar se kjo rrugë do të marr pamje të re, prandaj sot n; SummerClick e pyetëm ish-kryetarin Bogoev se përse nuk u përmbush ky premtim.
-A ju vjen keq që nuk arritët ta rregulloni atë rrugë që çon në Spitalin e fëmijëve “Kozle”?
“Më vjen keq që nuk u mora vesh me autoritet e Qytetit që ta rregullojnë sepse ajo është rrugë nën kompetenca të Qytetit të Shkupit. Nuk e di pse nuk është realizuar ende sepse atëherë kishte kontratë që kaloi në këshill, me dokumente problemi është i zgjidhur e përse nuk është realizuar duhet të pyesni në Qytetin e Shkupit”, tha Stefan Bogoev, ish-kryetar i komunës së Karposhit.
Nga pushteti aktual lokal nuk ka as premtime dhe as shpresa se gjendja mund të përmirësohet. Kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski, nuk e sheh të arsyeshme të merret me këtë rrugë të quajtur “Zagrebska”. Na tha se për rikonstruktimin e kësaj rruge ka pasur projekt nga pushteti i kaluar, por i njëjti është djegur kur është djegur baraka e ndërmarrjes publike “Rrugë dhe rrugica” dhe shton se nuk është në prioritetet e tij.
“Nuk vlerësoj se duhet të futet në prioritet sepse ne Bardovcë kemi rrugë që nuk janë të asfaltuara dhe qytetarët ecin nëpër baltë dhe prioritet i kam ata që ecin në baltë. E ata që kanë rrugë, mirë ka disa gropa nuk mund të jenë prioritet përpara atyre që shkelin nëpër baltë”, theksoi Stevço Jakimovski, kryetari i komunës së Karposhit.
Në Institutin për sëmundje të mushkërive “Kozle” në ditë kontrollohen mesatarisht rreth 100 fëmijë nga e tërë Maqedonia. Prindërit që i trajtojnë fëmijët në këtë spital ankohen vazhdimisht për infrastrukturën e keqe rrugore që të shpie deri atje.
