ASh: Qeveria i ha 60 mijë euro për vete dhe sjell masa që lejojnë largimin nga puna

TË FUNDIT

Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për politikat “joefkase” në mbrojtjen e punëtorëve.

Ilire Dauti nga kjo parti ka akuzuar Qeverinë se për dreka dhe darka ka ndarë 60 mijë euro, kurse nga ana tjetër miraton masa që lejojnë largimin nga puna në kohë të krizës.

“Derisa qeveria qahet se buxheti shtetëror nuk ka para të mjaftueshme dhe nga i cili ka ndarë vetëm 0.2% për menaxhim me krizën, po kjo qeveri për darkat dhe drekat e veta dhe të funksionarëve të saj pikërisht në kohë të virusit ka ndarë nga buxheti shtetëror më shumë se 60 mijë euro! Ky skandal tregon qartazi se qeveria ka për qëllim të ngop barkun e vet, derisa len të uritur mijëra të tjerë. Deri tani çdo masë e qeverisë aspak nuk i ka ndihmuar qytetarët, e as nuk i ka bërë të ndjehen më të sigurt, ndërsa nga ana tjetër shteti vazhdimisht futet në kredi me çka rrezikon borxhi publik të jetë më i larti në 10 vitet e fundit”, tha Dauti në konferencë për media.

Ajo thotë se pandemia me Kovid-19 ka shkaktuar kaos më të madh në papunësinë dhe si pasojë në sektorin privat ajo ka arritur në 40 për qind.

“Pandemia “Covid 19” ka shkaktuar kaos edhe më të madh në aspektin e papunësisë në vend, ndërsa masat e reja të qeverisë që arsyetojnë largimin nga puna në këtë gjendje krize, do të kenë ndikim mbi rritjen e numrit të të larguarve nga puna, në ndërkohë që papunësia në sektorin privat ka arritur 40%”, tha Dauti.

Ajo ka kritikuar edhe për jotransparencë të Qeverisë për gjendjen reale të buxhetit.