Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët ka reaguar në lidhje me ribalancin e buxhetit. Nga kjo parti thonë se Qeveria u ka dhënë prioritet zgjedhjeve e jo ekonomisë.
“Edhe me këtë rishikim buxhetor vazhdon logjika e njëjtë edhe pse në kohë krize, theksohet dimensioni
politik dhe jo ai financiar dhe ekonomik i buxhetit. Me këtë rishikim Qeveria e demanton veten në të
gjitha skenarët që i paraqitën deri më tani. Zvogëlimi i të hyrave buxhetore në skenarin më optimist të
Ministrisë së Financave parashihte zvogëlim prej 20%, ndërsa të njëjtat janë planifikuar me zvogëlim
vetëm për 11,5%! Duke qenë të kufizuar në informata, dhe duke mos e ditur ende dinamikën e
ristartimit dhe hapjes së ekonomisë, thjeshtë dyshojmë se ky është planifikimi i qëndrueshëm i të hyrave
buxhetore.
Ndoshta planifikohet edhe ndonjë rritje tatimore si ajo e akcizave së fundmi. Paralajmërimi i shkurtimit
të shpenzimeve publike deri më 2% u shndërrua në rritje prej 1.4% (53.7 milion euro). Arsyetimi se është
rritje më e vogël e shpenzimeve publike se në shtetet si Gjermania, Finlanda s’do koment.
Edhe pse u paralajmërua rritje dhe dinamizm i investimeve kapitale më se të nevojshme për
rimëkëmbjen ekonomike, prapë u sakrifikuan, duke u zvogëluar me 4.2 miliard denar, ndërkohë që
shpenzimet vijuese rriten për 9.6 miliard denar!
Zvogëlim i rrogave dhe kompensimeve për vetëm 0.4% shpreh tendencën e deritanishme të punësimeve
parazgjedhore, dhe mos shkurtimin e shpenzimeve operative (tanimë të ndërprera për shkak të mos
aktivizimit) të funksionarëve partiak, të punësuarve me kontratë në vepër para shpalljes së zgjedhjeve
dhe për stimulimin e aktivizimit partiak!
Jo çdo stimulim i konsumit privat dhe publik ka produktivitet ekonomik. Kategoria ku ka hapësirë për
shkurtime më të mëdha janë mallrat dhe shërbimet. Për çudi, të njëjtat u shkurtuan me vetëm 1.5% nga
planifikimi fillestar. Nuk u shfrytëzua mundësi për kursim prej shpenzimeve jo produktive që deficiti
buxhetor të ishte së paku për 1% më i vogël. Kjo natyrisht paraqet ngarkesë shtesë për hapësirën fiskale
që do të jetë shumë e nevojshme në të ardhmen!
Fatkeqësisht, edhe kësaj radhe kemi rialokim të mjeteve mbi kriteret politike dhe aspak ekonomike.”
