Dega në Strugë e Aleancës për Shqiptarët hodhi një sërë akuzash ndaj kryetarit të Komunës Ramiz Merko. Thonë se struganët e kanë parë këtë telenovelë ku aktori kryesor në mandatin e parë, të dytë, të tretë apo të katërt, është po ai që premton gjithçka dhe nuk realizon asgjë. Është e dukshme që kryetari Ramiz Merko jeton në botën e tij surreale sidomos në mandatin e katërt ku ka përforcuar bindjen e të jetuarit jashtë realitetit dhe duke ndryshuar zyrën dhe komodinat e zyrës së punës së tij, mendon se e ka ndryshuar Strugën, thonë nga ASH. Akuzojnë po ashtu për shantazh, nepotizëm, problemin me qentë endacak, keqmenaxhim të komunës dhe punësime partiake.
“Investimet edhe pse realizohen në të shumtën e rasteve vetëm para dhe në kohë fushatash janë të cilësisë më të dobët të mundshme dhe jashtë çdo standardi, ose thënë më shqip “shkel e shko” – mjafton një shi i vogël në Strugë, për të parë gjendjen e rrugëve, trotuareve, infrastrukturën në përgjithësi dhe shkeljet e të gjitha standardeve dhe rregulloreve nga kjo qeverisje që nuk krijon asnjë benefit dhe kënaqësi tek qytetarët dhe po i detyron struganët të ikin nga sytë këmbët në drejtim të emigrimit”, tha Lulzim Nasufi, kryetar i degës së ASH-së në Strugë.
