ASh: Kosta rrëzoi arsyetimet dhe nxori në pah dështimin! VLEN: Vizita konfirmoi rrugën evropiane

TË FUNDIT

Opozitarja Aleanca për Shqiptarët vlerëson se mesazhi i Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, ishte i qartë: marrëveshjet duhet të zbatohen! Sipas ASH-së, ky qëndrim demanton arsyetimet e Qeverisë dhe nxjerr në pah dështimin e VLEN-it për të realizuar premtimin se ndryshimet kushtetuese do të miratoheshin brenda gjashtë muajve të parë të qeverisjes.

ALEANCA PËR SHQIPTARËT:

“Deklarata e Costës e bëri të qartë se nuk ka rrugë tjetër për hapjen reale të negociatave me Bashkimin Evropian përveç ndryshimeve kushtetuese të dakorduara. Prandaj, heshtja e VLEN-it sot nuk është kujdes politik. Është pranim i pafuqisë. Është dorëzim para VMRO-DPMNE-së. Është largim nga zotimi mbi të cilin kërkuan besimin e shqiptarëve. VLEN nuk mund të sillet sikur nuk është pjesë e pushtetit. Mban poste në Qeveri, merr pjesë në vendimmarrje dhe mban përgjegjësi për bllokadën që po e mban vendin larg rrugës evropiane”


Aleanca për Shqiptarët në reagim po ashtu kërkon që VLEN menjëherë t’i kthehet marrëveshjes bazë dhe të kërkojë nisjen e procedurës për ndryshimet kushtetuese.

Nga partia në pushtet VLEN, në një qëndrim të tyrin për vizitën dhe mesazhin evropian të Presidentit Costa, thanë se ajo konfirmon perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

VLEN

“Integrimi në Bashkimin Evropian është përcaktimi ynë strategjik dhe aspiratë e gjeneratave të tëra. Vizita e Presidentit Costa është inkurajim për të vazhduar me përkushtim reformat dhe proceset që e afrojnë vendin me familjen evropiane. Në këtë drejtim, VLEN do të vazhdojë të japë kontributin e vet institucional përmes zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali, duke e mbajtur Agjendën reformuese në qendër të procesit eurointegrues”

Në fund, nga VLEN sigurojnë se mbeten të përkushtuar që, përmes punës, dialogut dhe reformave, të kontribuojë në ndërtimin e një të ardhmeje plotësisht evropiane për të gjithë.