Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se konsumatorët familjar dhe biznesi i vogël në RMV paguajnë çmimet më të larta të energjisë elektrike në rajon. Nga kjo parti masat e anti-krizë të Qeverisë i quajnë dështim.
“Pa fije turpi e pa asnjë argument , prezantuan e proklamuan, se gjoja nga muaji prill e deri në muajin shtator subvencionuan në masën prej 80 % të energjisë elektrike të konsumuar për 611.000 konsumatorët familjarë dhe për 72.000 konsumatorë të biznesit të vogël që furnizohen me energji elektrike nga furnizuesi i shërbimit universal.
Por në fakt e vërteta është krejt ndryshe! I kujtojmë dhe i tregojmë qeverisë se në bazë të çmimeve që i keni aprovuar dhe miratuar pikërisht Ju e ai KRRE ( komisioni rregullator i energjisë) skandaloz që e keni propozuar e votuar Ju, bizneset e vegjël në vend paguajnë 225 € për 1 MWh energji elektrike të konsumuar ( 13,8204 denarë për 1 kWh energji elektrike pa TVSH – për pjesën e furnizimit ). Duke ju referuar çmimeve të energjisë elektrike në bursat europiane për furnizim në tregun liberal, më konkretisht asaj HUPX, shihet qartë që qeveria po bën një propagandë të shpifur me qëllim që të fshehë paaftësinë, dhe keqmenaxhimin në këtë sektor”, thonë mes tjerash nga ASH.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se Qeveria nuk ka marrë parasysh kërkesat e tyre, të cilat sipas tyre do të zbusnin krizën për kategorinë konsumuese të biznesit të vogël.
“Vlera e TVSH për energjinë elektrike të ulet në masën prej 5% nga ajo që është aktuale në masën prej 18%. Subvencionimi për vendosjen e impiantëve fotovoltaikë për vetëkonsum. Ulje e çmimit të furnizimit me energji elektrike”, thuhet në reagimin e ASH-së.
