Koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë reaguar pas vendimit për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë rezidente në Maqedoninë e Veriut.
Vlerësojnë se nëse Zoran Zaev, Hristijan Mickoski dhe Ali Ahmeti sollën vendim për shtyrje të regjistrimit, ata nuk do të mund të ulin përqindjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sigurojnë, se aktivistët e tyre do të vazhdojnë të jenë aktiv, për siç thonë, që kurdo që vendoset të mbahet regjistrimit, ata të angazhohen për sensibilizim të mërgatës shqiptare.
Më poshtë ua sjellim reagimin e plotë të ASH-AAA-së.
“Zaev dhe Mickoski, përmes Ahmetit, i nënçmuan shqiptarët dhe na goditën të gjithëve.
BDI, që shtiret si përfaqësues i shqiptarëve në Qeveri, sot edhe njëherë e nënçmoi elektoratin e vetë dhe të gjithë shqiptarët. Zoran Zaev vetë e konfirmoi se vendimin për anulimin e regjistrimit ia ka kumtuar Ahmetit vetëm përmes telefonit dhe se nuk e ka pyetur për qëndrim. Ndërkohë Mickoski e quajti atë vetëm kuantitet dhe jo kualitet.
Në këtë mënyrë, nga një parti që hyri në qeveri duke mashtruar me “kryeministrin shqiptar”, BDI sot u shndërrua në parti që u bën dëm tjetër shqiptarëve, kësaj radhe përmes shtyrjes së regjistrimit. Sidoqoftë, ia bëjmë me dije Zaevit, Mickoskit dhe Ahmetit, që edhe nëse ata arrijnë që përmes numrave të na mbivotojnë dhe ta shtyjnë regjistrimin, ata nuk do të arrijnë kurrë që ta ulin numrin dhe përqindjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Shtabet dhe aktivistët tanë, si në mërgatë ashtu edhe në vend, do të jenë vigjilentë dhe aktivë, ashtu që kurdo që të caktohet përsëri, ne do të jemi këtu për të sensibilizuar dhe shpëtuar këtë proces. Ndërkaq për çdo pazar që ju e bëni në dëm të shqiptarëve, një ditë të gjithë do të përgjigjeni!
Me këtë rast dëshirojmë t’ua kujtojmë se Zaevi dhe Mickoski u dorëzuan para një teme të vetme – problemit me shtetësinë, një proces që e inicoi dhe po e bart Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Fillimisht na lutën të ulemi, ndërsa së shpejti do të detyrohen edhe ta zgjidhin këtë problem, sepse ata e dinë që ne nuk janë të gjithë shqiptarët BDI dhe Ahmeti”.
