ASH-AAA e gatshme të negociojë edhe me BDI-në, BDI shpalos 5 shtylla për negociata me partitë shqiptare

TË FUNDIT

Koalicioni ASH-AAA nuk përjashton mundësinë që të ulet në tavolinë për të biseduar edhe me BDI-në. Shefik Duraku nga ky koalicion thotë se kanë kontakte me të gjitha partitë politike.

 “Sa i takon pyetjes suaj se a do të ulemi me BDI-në në tavolinë për të biseduar, ne jemi një parti politike, serioze, një koalicion që ka marrë një numër shumë të madh të votave, kemi 12 mandate dhe nuk guxojmë të sillemi pa përgjegjësi në këtë rast. Kjo domethënë që ne nuk përjashtojmë askënd, kontaktet me të gjitha partitë politike kanë qenë dhe vazhdojnë, normale, nuk ka asgjë të re apo ekskluzive që mund të ju themi. Ne jemi pjesë e procesit do të vazhdojmë të jemi, sa i takon formimit të Qeverisë ajo është punë e mandatarit, ai që do të merr mandatin sigurisht se do të vendosë se me cilin do të bisedojë”, deklaroi Shefik Duraku – “Tash wshtë koha”.

Nga ana tjetër Bujar Osmani i BDI-së përshëndet këtë iniciativë, duke dhënë madje 5 shtylla kryesore të negociatave me partitë shqiptare.

“Është shumë me rëndësi të dakordohemi për këtë platformë shqiptare në garën politike që duhet të jetë e përhershme për politiken shqiptare këtu:

1. Në zgjedhje nuk garojmë me më shumë se dy lista. 2. Partia që e merr një votë më shumë flet në emër të shqiptarëve me komunitetet tjera. 3. Partitë dhe deputetët e partive që kanë një votë më pak, japin mbështetjte partisë së parë, që për vijat strategjike tona të flasin në emër të gjithë deputetëve shqiptarë, kurse për çështje të politikës ditore do të jenë korrektori kryesor. 4. Deputetët e partive jofituese nuk bëjnë biseda anësore për të dobësuar pozitat negociuese të partisë fituese ( si në vitin 2006). 5. Mundësi për bashkëpunime në forma të ndryshme në interes të qytetarëve mes partive politike shqiptare” tha Bujar Osmani – BDI.

Gjatë fushatës parazgjedhore BDI dhe Koalicioni ASH-AAA patën dallime të forta për sa i përket idesë së kryeministrit shqiptar, jo për ta kundërshuar idenë por për të nënvizuar se kjo ide e BDI-së është thjeshtë për të tërhequr sa më shumë vota. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka ftuar partitë shqiptare në një takim të përbashkët për t’u kordinuar se çka më tej pas fitimit të 32 mandateve nga partitë politike shqiptare.