Asfaltohet rruga pa u vendosur kanalizimi, të revoltuar, banorët e Çajlës dalin në protesta

TË FUNDIT

Banorët e fshatit Çajle protestuan për shkak se Ministria e Transportit  ka filluar me asfaltimin e rrugës  nga ky fshat deri në fshatin Forinë, ndërkohë në të njëjtën rrugë akoma nuk është vendosur kanalizimi. Banorët kërkojnë që Ministria e Transportit fillimisht t’i jap leje komunës së Gostivarit  që e njëjta të  vendos kanalizimin dhe më pas  të asfaltohet rruga.

Banor i f. Çajlë: “Qeveria nuk ju ka dhënë lejen edhe për atë shkak të gjitha rrugicat janë bërë, kjo është rruga kryesore  dhe kjo është një kilometër, për ta përfunduar tash ky është një manipulim dhe mua nuk më intereson dhe premtimet që janë dhënë duhet të analizohen me vite  dhe flasim për kanalizim që është pika e parë që u duhet njerëzve për shëndetin e tyre.”

Banor i f. Çajlë: “Ndërmarrja shtetërore Rrugët e Maqedonisë të mos fillojë me rikonstruimin e rrugës pasi që në vend të ndihmës ne si fshat do të dëmtohemi edhe më shumë. Kjo pasi në fshatin tonë akoma nuk ka përfunduar kanalizimi që është nisur nga ana e komunës së Gostivarit, që u nis vitin e kaluar, linja e kanalizimit do të duhet të kalojë në rrugën kryesore të fshatit por  qeveria nuk I jep leje komunës edhe pse kërkesa në qeveri është parashtruar kohë më parë.”

Banor i f. Çajlë: “Kush nuk e lejon atë leje ai është politik, si gjithmonë ne e dimë ku është ai ngërçi politik por nuk kemi mundësi me e zgjedh e kanë të kapur në dorë shtetin  dhe ne kemi nevojë për kanalizimin se asfalti nuk është jetë gjatë pa kanalizim.”

Kryetari i komunës së Gostivarit e quan të arsyeshme protestën e qytetarëve. Arben Taravari  thekson se nëse ministria përkatëse i jep leje, brenda 10 ditësh do ta përfundojë çështjen e kanalizimit.

“Me të drejtë  banorët e Çajles protestojnë edhe kanë të drejtë të protestojnë, sepse kjo që ndodh në Çajle, komunës së Gostivarit këto dy vjet e gjysme vazhdimisht i ka ndodhur  dhe çdo punë që e kemi nisur është dashur të merret leje prej ndonjë ministrie të caktuar për shembull,  çdo herë komuna e Gostivar ka hasur në pengesë  dhe ky është rasti fundit për fshatin Çajlë”, tha Arben Taravari.

Ditë më parë, NP “Rrugët e Maqedonisë” ka filluar me asfaltimin e rrugës rajonale Çajle – Forinë. Banorët dhe komuna thonë se nuk janë paralajmëruar nga asnjë institucion për këto punime.