As besimin e ulët në drejtësi, e as vendimet e Apelit, kryeministri nuk dëshiron të komentojë asgjë rreth gjyqësorit

TË FUNDIT

Kryeministri Dimitar Kovaçevksi shprehet se nuk e ka ndërmend të përzihet në punën e gjyqësorit e as të komentojë besimin tejet të ulët të qytetarëve në gjykata e prokurori. Shton se nuk e ka në plan as të përzihet se cili prokuror vendoset në cilën prokurori, e as cili gjykatës në cilëndo gjykatë, pasi siç vlerëson këto janë kompetenca të gjyqësorit.

 “Sa i përket gjyqësorit, njëjtë nuk do të përgjigjem as këtu sepse kjo është pyetje për organet e drejtësisë. E dini se ne kemi pushtet të pavarur gjyqësor dhe kemi pushtet ekzekutiv për të cilin mund të përgjigjem. Kemi Kuvendin, sigurisht që është pushtet ligjvënës në vete ku Kuvendi duhet të përgjigjet dhe pushtet lokal për të cilën duhet të japin pikëpamjen e tyre vetë njësitë për vetëqeverisje lokale”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

I pyetur nëse planifikon ta largojë ministrin Nikolla Tupançevski nga ministria e Drejtësisë, nëse edhe më tej vazhdon kaosi në sistemin e drejtësisë, Kovaçevski u shpreh se nuk është planifikuar rikonstruim i Qeverisë. Tani është periudha kur përgatitemi për vitin e ardhshëm.

 “Ministri i Drejtësisë ka për obligim që të punojë në përgatitjen e zgjidhjeve ligjore që kanë të bëjnë me përmirësimin e punës së gjyqësorit si pushtet i pavarur dhe të sigurojë buxhet i cili më tej në mënyrë të pavarur menaxhohet nga gjykatat dhe prokuroritë”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Nga kryeministri u kërkua një koment edhe rreth vendimit të Apelit për shfuqizimin e lëndës “Target Fortesa” të Sasho Mijallkovit, por as për këtë i pari i Qeverisë nuk parapëlqeu të flasë, duke orientuar gazetarët  tek organet e drejtësisë për pyetje.