Arsovska kërkon €10 mln kredi për autobusët e rinj/ Këshilltarët nuk e përqafojnë vendimin: Nuk duam borxhe në krizë

TË FUNDIT

Përderisa 200 autobusë qëndrojnë në garazhe dhe dhjetëra transportues privatë pa punë, kryetarja e Shkupit inicion prokurimin e autobusëve “eco”, me një kredi prej rreth 10 milionë eurove. Kjo sipas saj për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe për transport publik më cilësor. Sa i përket shoferëve privatë, Arsovska tha se ka pasur dy thirrje publike ku kanë mund të paraqiten, por nuk e kanë bërë.

“Kishte dy thirrje publike për t’u paraqitur, për të gjithë ata që duan të punojnë ndershmërisht kanë pasur mundësi të vijnë të paraqiten dhe t’i fusin në funksion këta autobusë dhe të punojnë në kuadër të transportit publik.”- deklaroi Danella Arsovska, Kryetare e Shkupit.

Para se të nis seanca e Këshillit të Qytetit të Shkupit, Arsovska u bëri thirrje këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së që të mbështesin blerjen e autobusëve. Megjithatë Këshilli i Qytetit të Shkupit nuk e pranoi propozimin. Votuan 15 këshilltarë, një kundër dhe 18 abstenuan, gjë që nuk mjaftoi për miratimin e një vendimi të tillë.

“Çka do të ndodhë me 200 autobusë që kanë ngelur nëpër garazhe dhe çka do të ndodhë me 500 familje që kanë ngelur pa punë. Domethënë në një situatë të këtillë ta fusim qytetin dhe qytetarët e Shkupit në borxh është paksa e palogjikshme duke ditur se ne kemi autobusë të cilët nuk i angazhojmë. Cila është arsyeja, përse nuk i angazhojmë?”- deklaroi Bujare Abazi, Këshilltare ASH

“Vendimi për nga përmbajtja është në rregull, mirëpo me këso paqartësi, sa i përket të ardhmes të konceptit transport publik të tillë çfarë e kemi, e për momentin nuk e kemi, sepse as itinerarin që e kemi votuar vetë nuk e respektojmë. Grupi i këshilltarëve të LSDM-së dhe koalicionit nuk mund të votojë dhe ne për këto arsye ne do të përmbahemi.”- deklaroi Lubica Jançeva, këshilltare LSDM.

“Unë dyshoj se vitin tjetër apo planifikohet kredi e re, e pas asaj edhe ndonjë kredi tjetër, sepse si¬ç dëgjova kryetarja tha çdo vit duhet të përditësohet itinerari, nga ky aspekt ky është një borxh dhe a do të ketë një borxh tjetër prapë vitin e ardhshëm dhe a do të porositen ato 250 autobusë deri në fund të mandatit? Sa do të zgjas e gjithë procedura dhe nëse aprovohet kredia kur do t’i shohim këta autobusë nëpër rrugët e Shkupit?”- pohoi Filip Janevski – këshilltar VMRO-DPMNE.

Arsovska kërkoi miratim nga Këshilli për blerjen e eko-autobusëve me kredi që do të shlyhej me para nga buxheti i qytetit, por kushtet dhe mënyra e shfrytëzimit të kredisë do të diheshin vetëm pasi të vinin ofertat nga bankat dhe më pas ai që ofronte më të mirën u zgjodh kushtet. Nuk u saktësua se sa autobusë mund të bliheshin me atë kredi dhe nga cili prodhues, gjë që ishte arsyeja që shumë nga këshilltarët të përmbaheshin nga propozimi i vendimit. Këshilli i Qytetit të Shkupit nuk e pranoi propozimin e kryetares për blerjen e autobusëve të rinj ekologjikë përmes huamarrjes me kredi afatgjatë në një nga bankat e vendit në shumë prej 620 milionë denarë, përkatësisht rreth 10 milionë euro. Ky është projekt në kuadër të programit për Shkupin modern, ku u premtua blerja e 250 eko-autobusëve.