Një 44-vjeçar nga Kërçova, i punësuar në TEC “Osllomej”, u arrestua pasi rrejshëm denoncoi se kishte bombë në vendin e punës, vetëm për të dalë më herët nga puna, përcjell TV21. Sipas Policisë, u konfirmua se raportimi ishte i rremë. Personi me iniciale R.B. pranoi veprimin e tij.
“Më 05.03.2026, rreth orës 03:30, punonjës policie nga Njësia Policore Osllomej, e arrestuan R.B. (44) nga Kërçova, i punësuar në TEC “Osllomej”. Ai, në orën 02:25, i dërgoi një mesazh shefit të tij duke e informuar se kishte dijeni se në një nga departamentet e TEC “Oslomej” ishte vendosur një bombë. Pas marrjes së masave dhe kontrollit të kryer, policia konstatoi se nuk kishte bombë të vendosur dhe bëhej fjalë për një raportim të rremë. Pas veprimeve të kryera, R.B. u gjet në një shtëpi pushimi në fshatin Osllomej të Kërçovës dhe u arrestua. Ai pranoi se raportimi ishte i rremë dhe e kishte shpikur këtë histori për të mundur të largohej më herët nga puna. R.B. mbetet i ndaluar në Stacionin Policor të Kërçovës dhe pasi rasti të dokumentohet plotësisht, kundër tij do të parashtrohet kallëzim i përshtatshëm”, thonë nga MPB.
