Arrestohet i dyshuari për vrasjen hendbollistit kroat! Ministri i Shëndetësisë po pret raportin e mjekësisë ligjore 

TË FUNDIT

Policia ka arrestuar 28-vjeçarin Angello Gjorgjievski, i dyshuar i parë për vrasjen e hendbollistit kroat, Denis Tot. Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se i dyshuari që kërkohej me fletëarrest është arrestuar pas mesnatës dhe është transferuar në burgun e Shutkës në paraburgim.

 “Pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve intensive për gjetjen dhe kapjen e tij, rreth orës 01.20, personi iu është dorëzuar efektivëve të Policisë së Grupit Operativ të Kërkimit në zonën e lagjes Aerodrom”, thonë nga Ministria e Brendshme.

Sa i përket raportit për trajtimin mjekësor të tashmë të ndjerit Tot, ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, tha se po e pret raportin shtesë të mjekësisë ligjore.

 “Raporti i Inspektoratit Shëndetësor-Sanitar është dorëzuar në zyrën time,  presim raportin e mjekësisë ligjore, pas kompletimit të të gjitha dokumenteve do të formohet komision, nëse ka dyshime për ndonjë detaj. Ende nuk kemi pasqyrë të kompletuar. Nuk mund të jap përgjigje precize, megjithatë shohim se secili institucion e kryen punën e vet në kuadër të kompetencave që ka”, deklaroi Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Më 7 prill hendbollisti i klubit të Butelit, Denis Tot, u gjet pa ndjenja pranë një diskoteke në Shkup. Një ditë më vonë Tot vdiq në spital si pasojë e lëndimeve.