Arresti shtëpiak për Grubin, partitë përplasen me akuza për drejtësinë dhe pasoja politike

TË FUNDIT

Reagimet e shumta edhe nga partitë politike se pse Artan Grubit iu caktua arrest shtëpiak.  

Nga opozitarja LSDM situatën e cilësojnë si teatër dhe plan të kurdisur nga pushteti.

“Caktimi i arrestit shtëpiak për Grubin është konfirmim se gjithçka është e marrë vesh paraprakisht. Prandaj prokuroria dhe gjyqësori u vendosën nën kontroll të drejtpërdrejtë të Mickoskit dhe VMRO-OKG-së, për çka LSDM prej muajsh flet publikisht”, tha Aleksandar Sasha Dimitrijeviq – Sekretar i Përgjithshëm i LSDM-së.

Sipas VMRO-DPMNE-së, LSDM frikësohet nga ajo që Grubi mund të zbulojë para organeve hetimore lidhur me bashkëpunimin e tij me ish-funksionarë.

“LSD, partia që bashkëpunonte dhe heshtte kur Grubi bënte krim, është frikësuar deri në palcë, sepse nuk e dinë se çfarë gjithçka mund të thotë Grubi. A kanë frikë se deklarata e tij do të arrijë deri te ish-kryetari i LSD-së dhe ish-kryeministri i Maqedonisë?”, tha Brane Petrushevski – Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Nga VLEN thonë se Grubi po e shtyn Ali Ahmetin drejt ekzekutimit politik.

“Rikthimi i Grubit nuk është fundi i procesit. Është fillimi. Fillimi i një zbërthimi që mund të çojë në demaskimin e plotë të mënyrës se si ka funksionuar BDI. Pyetja nuk është më nëse do të ketë pasoja politike, por sa të thella do të jenë ato”, thonë nga VLEN.

Sipas Dimitrievskit nga ZNAM, një shtet serioz nuk duhet të lejojë gjëra të këtilla.

“Është e papranueshme që një person që gjatë kohë është në arrati, kthehet në shtet dhe i shqiptohet masë paraburgimi dhe nga marrja në pyetje kthehet në shtëpi. Një shtet serioz nuk duhet të lejojë presedan të këtillë”, tha Maksim Dimitrievski, ZNAM.

Pas këtyre deklaratave BDI doli me reagim. Integristët u bëjnë thirrje gjykatave, prokurorisë dhe të gjitha organeve kompetente që të veprojnë vetëm mbi bazën e ligjit dhe provave, duke mos lejuar që klima politike të ndikojë në punën e tyre.

“Konsiderojmë të drejtë vendimin e Artan Grubit për t’u paraqitur para organeve të drejtësisë dhe për t’i paraqitur argumentet e tij në kuadër të procedurës institucionale. Megjithatë, kjo ka kuptim vetëm nëse shteti garanton një proces të drejtë, të paanshëm dhe transparent, të liruar nga ndikimet partiake dhe presionet politike”, thonë nga BDI.

Partia nga e cila vinte Grubi, BDI, pret që procesi të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të sundimit të ligjit, me një nivel të lartë transparence, në përputhje me interesin publik, respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë dhe me mbrojtje të të drejtave dhe lirive individuale.