Arijan Ademi ka vendosur t’i japë fund karrierës në Përfaqësuese. Këtë e ka bërë të ditur seleksionuesi Bllagoja Milevski, i cili thotë se ka pasur një bisedë me të, por duket se mesfushori është i bindur për vendimin e tij. Arsyet janë të natyrës personale.
“Në bisedën tonë që patëm të hënën, ai më tha se është kategorik, se e ndjen se është momenti për të përfunduar karrierën e tij në përfaqësuesen, e përsëris, vetëm për arsye personale. Fatkeqësisht, ne nuk do të mund të llogarisim tek ai në të ardhmen. E falënderoj për gjithçka që ka bërë për ekipin tonë dhe për futbollin maqedonas në përgjithësi”, tha Bllagoja Milevski, seleksionues.
FFM planifikon të organizojë një ndeshje lamtumire për Ademin. Duke pasur parasysh se Përfaqësuesja e Maqedonisë do të luajë kundër Kroacisë më 3 qershor, kjo do të jetë një mundësi që Ademi t’i thotë lamtumirë Përfaqësueses pikërisht në këtë ndeshje, pasi ai ka lindur në Kroaci dhe pjesën më të madhe të karrierës së tij ka qenë pjesë e Dinamos së Zagrebit.
“Propozova dhe FFM pranoi që t’i ofrojmë ndeshje lamtumire, siç e paramendon ai, si të dojë ai, ashtu siç vendos ai, nëse do të jetë kundër Kroacisë në Rijekë më 3 qershor, apo në ndeshjen e parë në shtëpi në Shkup”, pohoi Bllagoja Milevski, seleksionues.
Ademi për herë të parë për Maqedoninë luajti në vitin 2014 në ndeshje kualifikuese për eurokualifikimin kundër Luksemburgut. Që atëherë, mesfushori i madh ka bërë 30 paraqitje për Përfaqësuesen, duke shënuar katër gola dhe një asistim. Ademi ishte pjesë e ekipit që luajti në kampionatin historik europian. Aktualisht ai është 32 vjeç.
