Aplikacion që lidh drejtpërdrejt qytetarët me mjekët, Sherifi: Qëllimi është parandalimi i sëmundjeve

TË FUNDIT

Qytetarët, posaçërisht ata që jetojnë në zona rurale qasjen për në mjek do ta kenë shumë më të lehtë, madje nuk do t’ju duhet që të shkojnë në institucione shëndetësore. Konsultat shëndetësore gjinekologjike dhe dermatologjike mund t’i kryejnë online nëpërmjet një aplikacioni, që u mundëson kontakt direkt me mjekët e fushës. 

“Qëllimi kryesor i gjithë këtij projekti është që t’i njoftojmë të gjitha moshat për parandalimin e sëmundjeve gjinekologjike dhe dermatologjike, pra të jenë sa më afër informacioneve të këtyre sëmundjeve. Si punon aplikacioni, si mund të kenë qasje me mjekët? Me mjekët do ta kenë qasjen direkte, pra do të kemi një aplikacion falas, të cilin mund ta merr secila femër në telefonin e saj dhe mund të bëj direkt pyetje mjekëve tona që i kemi në staf, pra jemi një staf prej 15 personash dhe aty mund të paraqitet secili shqetësim”, deklaroi Kaltrina  Sherifi – pronare e BD Organics.

Gjinekologia Meral Rexhepi është një nga mjeket me të cilat do të mund të kontaktoni. Ajo për TV21 thotë se aplikacioni do të jetë në dobi të madhe sidomos për zonjat që jetojnë në zonat rurale.

“Dihet se vështirësia e tyre për qasje te mjeku është më e vështirë, duhet të transportohen, duhet të kenë shoqërues, duhet termin. E pamë të arsyeshme t’i shkurtojmë këto rrugë, pagesat që do t’i afroj te mjeku nëpërmjet ekipit që organizon këtë projekt, patëm dëshirë dhe qëllimi kryesor ishte që sa më lehtë dhe sa më tepër të jemi në kontakt me pacientët dhe sa më shumë të afrohemi me ta, me qëllim të sqarimit të ofrimit të këshillave, të njoftimit me simptomat kryesore të disa sëmundjeve që i përkasin shëndetit reproduktiv të grave dhe grupin e grave tona të margjinalizuara”, theksoi Meral Rexhepi – gjinekologe.

Përveç konsultave, qytetarëve u ofrohen edhe përzgjedhje e madhe e produkte me bazë organike të cilat kanë qenë pikënisje e projektit, e të cilat i përmban BD Organics. Në kuadër të projektit “Epoka e kujdesit organic” janë zhvilluar konferenca të shumta që janë realizuar në zonat rurale, takime të drejtpërdrejta mjek-qytetar në këto fshatra, themelimi i një ueb faqeje me informacione (https://jmorganics.mk/home) si dhe aplikacioni, i cili  pritet të jetë në dispozicion të qytetarëve për një muaj. Projekti është në bashkëpunim të BD Organics dhe Fondit për inovacion dhe zhvillim teknologjik.