“Stili i jetës sime nuk është arratisja, në fakt dua të them që unë asnjëherë nuk do të arratisem edhe nëse këtë vendim e konfirmon Gjykata e Apelit, atë do ta zgjidh me vuajtjen e dënimit”, tha Sasho Mijallkov, i akuzuar (08.03.2019).
Kështu deklaronte Sasho Mijallkov para 3 viteve kur për herë të parë u shpall fajtor në lëndën “Titanik 2” për parregullsi zgjedhore të vitit 2013. Bashkë me të, fajtor ishin shpallur edhe kreu i PDSH-së Menduh Thaçi dhe Bedredin Ibraimi. Megjithatë me shumë gjasa Mijallkov nuk do të vuaj dënimin me burg as për këtë vepër penale.
Në krye të 9 muajve pasi Penalja shqiptoi dënimet për Mijallkov dhe të akuzuarit e tjerë, Apeli i shfuqizoi dënimet me çka e riktheu lëndën në rigjykim. Në arsyetimin e Apelit thuhej se në shkallën e parë janë konstatuar shkelje thelbësore të procedurës.
“Gjykata e Apelit gjatë shqyrtimit të aktvendimit, konstatoi se gjykata e shkallës së parë gjatë veprimit të kësaj lënde, ka kryer disa shkelje thelbësore të procedurës me karakter absolut, për shkak të cilave vendimi krejtësisht është joligjor dhe jo i rregullt”, thonë nga Gjykata e Apelit.
Për 4 muaj vepra e Mijallkov do të vjetërsohet, ndërsa seancat vazhdojnë të anulohen, siç ndodhi edhe sot. Mijallkov nga burgu i Strugës nuk u soll në gjykatën Penale, edhe pse për të njëjtën kishte ftesë.
“Ka ftesë të rregullt nga gjykata për seancën e sotme. Përse nuk ka ardhur i akuzuari Mijallkov, nuk e dimë, por për këtë do të hetojmë”, thonë nga Gjykata Penale.
Nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve thonë se do ta shqyrtojnë këtë rast.
“Në lidhje me procedurën për zbatimin e Sasho Mijalkovit nga Shtëpia ndëshkuese-korrektuese “Struga” për rigjykim për rastin “Titanik 2”, ju njoftojmë se Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve do të ndërmarrë të gjitha aktivitetet që janë në kompetencë të saj dhe do të bëjë mbikëqyrje të jashtëzakonshme për të parë gjendjen faktike. Do të përcaktohet përgjegjësia dhe do të sanksionohen të gjithë ata që kanë bërë lëshime, me apo pa dashje. Publiku do të informohet më tej për mbikëqyrjen e jashtëzakonshme”, pohojnë nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.
Për lëndën “Titanik 2”, Mijallkov ishte dënuar me 3 vite burg. Sipas aktakuzës, Mijallkov nëpërmjet liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi, që ky i fundit t’i kërkojë bashkëpartiakut Bedredin Ibraimi, anëtar në KSHZ, që të votojë për shkatërrimin e një vendvotimi në Strumicë.
