Deri në fund të shtatorit duhet të mbërrijnë pajisjet për gjurmë gishtash, mënyrë me të cilën do të identifikohen qytetarët në zgjedhjet lokale të tetorit. Në tenderin për furnizim, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e zgjodhi kompaninë gjermane “Dermallog”. Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski thotë se kompania ka pasur ofertë më të mirë, i ka përmbushur kushtet dhe ka pasur aparate më të mira.
“Kompania quhet “Dermallog” dhe është nga Gjermania, domethënë bëhet fjalë për kompani gjermane dhe tani rrjedh afati për dorëzim të ankesave që do të zgjasë 10 ditë. Derisa nuk skadon ky afat, procedura vazhdon. Shpresoj se do të përfundojë ashtu siç duhet, sepse kjo nuk është nën kompetencat tona. Jemi një hap më afër realizimit të motos sonë “Një votues, një votë”, tha Aleksandër Dashtevski – kryetar i KSHZ-së.
Por, a do të mbrohen në këtë mënyrë të dhënat personale të votuesve? Dashtevski pohon se të dhënat do të futen nga ana e Ministrisë së Brendshme.
“Të dhënat do të futen nga ana e Ministrisë së e Brendshme dhe pastaj do të kthehen mbrapa. Kështu që nuk mund të keqpërdoren sepse ne nuk blejmë një kompani, por pajisje. Pajisjet janë në pronën tonë”, theksoi kryetari i KSHZ-së, Aleksandër Dashtevski.
Ndryshe, afati i fundit për arrdhjen e pajisjeve është 60 ditë para zgjedhjeve. Fillimisht duhet të mbërrijnë 200 aparate me të cilat do të trajnohen anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
“Do të ketë dy dërgesa. Dërgesa e parë do të përbëhet nga rreth 5%, që i bie rreth 200 aparate me të cilat do të bëhet trajnimi. Pas kësaj, pjesa tjetër vetëm do të plotësohet, gjë që do të zgjasë disa ditë. Sërish, nuk do të doja të flisja, sepse procedura ende nuk ka përfunduar”, shtoi Dashtevski.
Zgjedhjet lokale në vend do të mbahen në pjesën e dytë të tetorit. KSHZ-ja përpiloi strategji në të cilën janë paraparë të gjitha masat për mbrojtje nga rënia e sistemit, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare.
