Komisioni Antikorrupsion paralajmëroi se në mënyrë intensive do ta ndjekë fushatën zgjedhore, gjegjësisht do të ndjekë nëse do të ketë shfrytëzim të paligjshëm të mjeteve buxhetore, por edhe keqpërdorim të resurseve shtetërore. Edhe para këtij cikli zgjedhor, nga Komisioni sqarojnë se çka nuk guxojnë të bëjnë institucionet shtetërore, sidomos pushteti lokal pas shpalljes së zgjedhjeve lokale.
“Nuk mund të ndërtohen objekte të reja në infrastrukturë me mjetet nga buxheti, me fondet publike ose me mjetet e ndërmarrjeve publike ose personave të tjerë juridikë që kanë kapital shtetëror. Institucionet nuk guxojnë të bëjnë pagesa të pensioneve, ndihmës sociale ose pagesa të kompensimeve të tjera materiale nga mjetet buxhetore ose fondet publike që nuk janë pagesa të rregullta mujore”, tha Biljana Ivanovska, kryetare e Antikorrupsionit.
“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve edhe sivjet do ta përditësojë regjistrin e makinave të organeve shtetërore, organeve të vetëqeverisjes lokale dhe ndërmarrjeve publike. Këtë e bëjmë tashmë dy vite dhe u tregua si një gjë mjaft efikase në drejtim të kontrollimit të shfrytëzimit të makinave zyrtare për qëllime partiake”, tha Katica Nikollovska nga Antikorrupsioni.
Por, praktika e deritanishme tregon se anashkalimi i këtyre ndalesave bëhet në mënyrë shumë të aftë. Në fakt shpallen konkurse ose sillen vendime për pagesë të bonuseve vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve, siç ishte rasti me shpalljen e vendimit të Qeverisë që administratorët të marrin bonuse, si dhe rasti me konkurset për punësim mu në prag të shpalljes së zgjedhjeve.
“Me vet shpalljen, ata që presin të punësohen janë vendosur në një pozicion pengu dhe këtë mund ta përdorin si klientelizëm klasik, gjegjësisht si sigurim votash. Vitin e kaluar ishim dëshmitarë se edhe pse ndërtimi nuk ka filluar, sërish fotografoheshin para objekteve tashmë të nisura, gjë që nuk është cekur në ligj”, shtoi Ivanovska.
Komisioni për Parandalim të Korrupsionit publikoi thirrje për paraqitje të 50 vëzhguesve për pothuajse të gjitha komunat për të monitoruar nëse gjatë fushatës zgjedhore do të ketë ndonjë shkelje. Njëkohësisht, në ueb-faqen e komisionit, vetë qytetarët do të mund të raportojnë çdo keqpërdorim eventual.
