Plani strategjik 2026-2030 i Ministrisë së Kulturës parasheh “racionalizim” të institucioneve kulturore, përfshirë edhe ansamblin muzikor në Tetovë, gjë që mund të nënkuptojë mbylljen ose bashkimin e tij me institucione të tjera, me arsyetimin e kapaciteteve të kufizuara. Drejtori i Ansamblit muzikor në Tetovë, Blerim Qamili, thotë se një hap i tillë është i papranueshëm dhe se institucioni do të kundërshtojë këtë plan.
“Plani strategjik, sipas asaj që kam lexuar në draft, por edhe sipas një komunikimi telefonik që pata me Ministrin, përfshinë fuzionimin e institucioneve. Fuzionimi i institucioneve nënkupton që ansambli do të funksionojë nën kompetencat, më duket, të Pallatit të Kulturës, ashtu siç e kuptova unë. Edhe disa institucione të tjera do të fuzionohen, por për ansamblin muzikor kjo mendoj se nuk është e përshtatshme”, tha Blerim Qamili – Drejtor i Ansamblit Muzikor në Tetovë.
Qamili thotë se për institucionin vazhdimisht është premtuar zgjidhje për punësimet e stafit, por sipas tij, ende nuk ka asnjë përgjigje konkrete.
“Ka gati është më se e treta, e dyta herë që unë, si drejtor i ri i këtij ansambli, kërkoj punësimet dhe nuk më është dhënë përgjigje në asnjë mënyrë, as a do të realizohen, as a nuk do të realizohen këto punësime dhe arsyeja pse. Ka qenë, gjatë gjithë kohës ka qenë e paqartë. Kolegët, të cilët ne bashkëpunojmë me kontrata të shkurtra, siç e dini edhe ju, reaguan mbi këtë draft sepse ata presin punësime”, shtoi drejtori i Ansamblit Muzikor në Tetovë, Blerim Qamili.
Nga ana tjetër, Bilall Kasami nga VLEN, thotë se prioritet mbetet realizimi i punësimeve, ndërsa çështja e organizimit institucional është ende në fazë analize.
“Për ne, për ne është me rëndësi që të ketë punësime dhe ai ansambël të jetë në shërbim të kulturës tetovare. Pjesa tjetër është çështje organizative. Nuk kam informata që ka vendim përfundimtar. Përmenda, ka një raport ku ansambli është në kuadër të dhjetëra institucioneve të kulturës në rang shtetëror, të cilat do të duhet të riorganizohen me të vetmin qëllim që të jenë më funksionalë. Janë analiza të cilat bëhen. Nëse në rang shtetëror do të vendoset për gjithë riorganizimin e gjithë këtyre institucioneve, atëherë sigurisht që do të përfshijë edhe ansamblin. Nëse do të vendoset që të mbeten ashtu siç janë, atëherë do të mbetet ansambli”, deklaroi Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.
Sipas të dhënave, në këtë institucion aktualisht janë vetëm dy të punësuar dhe drejtori, ndërsa kërkesa fillestare ka qenë për 24 punësime, nga rreth 60 pozita gjithsej, përfshirë staf administrativ, teknik dhe artistik. Ansambli muzikor në Tetovë është themeluar me vendim qeveritar në mars të vitit 2018, ndërsa punësimet e para janë realizuar në vitin 2019.
