Anijet që kalojnë përmes ngushticës së Hormuzit po detyrohen gjithnjë e më shumë të koordinojnë kalimin e tyre me autoritetet iraniane, ndërsa rritja e rreziqeve dhe shtimi i papritur i kostove të sigurimit po ndryshojnë rregullat e trafikut në këtë rrugë kyçe detare. Qasja për shumë anije tashmë nuk është e garantuar, dhe vendimet për lundrim varen nga vlerësimi i kërcënimeve për sigurinë, kostot dhe koordinimi.
Këtë javë, Tajlanda njoftoi se një nga tankerët e saj ka kaluar përmes ngushticës pas bisedimeve me autoritetet iraniane, ndërsa një tjetër anije ende pret miratimin, shkruan “Euronews”.
Sigurimet kundër rrezikut luftarak janë rritur disa herë pas eskalimit më 28 shkurt. David Osler, redaktor për financa në “Lloyd’s List”, shpjegon se para përplasjeve, sigurimet luhateshin nga 0.15 deri në 0.25 për qind të vlerës së anijes, ndërsa tani ofertat arrijnë deri në 5 ose madje 10 për qind. Për një tanker të madh të naftës bruto me vlerë afërsisht 100 milionë dollarë, kjo mund të nënkuptojë disa milionë dollarë shtesë vetëm për një kalim.
Për shkak të rreziqeve të rritura, disa kompani shmangin plotësisht ngushticën, thekson eksperti detar Mustafa Zehaf. Alternativat janë të pakta – tubacionet e naftës përmes Arabisë Saudite ose Emirateve të Bashkuara Arabe mund ta rrethojnë Hormuzin, por pjesa më e madhe e eksporteve ende varet nga kjo rrugë detare.
Analisti energjetik Bill Farren-Price paralajmëron se vazhdimi i kësaj situate do të shkaktojë një tronditje në furnizimin e tregjeve globale.
