Situata dhe përballja me zjarret edhe këtë vit po bëhen temë gjithnjë më “e nxehtë” për atë se si vendi duhet të luftojë me flakët. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, kishte paralajmëruar formimin e një njësie ndërhyrëse. Megjithatë, këto ditë, në vend të forcave speciale, u morën automjete ushtarake të përshtatura për shuarje zjarresh, ndërsa në vend të profesionistëve u shpall një thirrje për vullnetarë. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Angellov thekson se bëhet fjalë për mjete ushtarake të mëparshme, të cilat janë përshtatur, por, siç thotë ai, janë jashtëzakonisht të fuqishme.
“Këto automjete e rritën ndjeshëm fuqinë tonë për të luftuar zjarret dhe ne këtë e kemi dëshmuar. Nuk është as e lehtë as e thjeshtë që brenda një dite të shuhen më shumë se 63 zjarre. Qëllimi ynë është që këta 400 persona të kalojnë fillimisht një trajnim të përshtatshëm, disa ditor, për njohuri teorike dhe praktike. Pastaj, ata që do të përzgjidhen – sepse jo të gjithë do të angazhohen për shuarjen e zjarreve – një pjesë e tyre do të punojnë në parandalim dhe mbrojtje nga zjarret, ndoshta diku do të pastrojnë barishte, diku tjetër do të mbledhin degë”, tha Stojançe Angellov, drejtor i DMSh-së.
Zjarret, edhe këtë vit, janë objekt i akuzave ndërpartiake. Nga VMRO-DPMNE akuzojnë se personat e arrestuar për zjarrvënie janë të lidhur me opozitën dhe se LSDM po i shfrytëzon zjarret për përfitime politike.
“Menjëherë pas shpërthimit të zjarreve, u përfshi LSDM dhe faktorë të afërt me ta me deklarata dhe komente. A ka nisur opozita një aksion të organizuar për të shfrytëzuar zjarret në narrativën politike? E vetmja gjë që, dukshëm, e pengoi këtë politikë dashakeqe të opozitës ishte reagimi i shpejtë i institucioneve”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM thonë se sa herë kërkohet përgjegjësi për menaxhim të keq dhe kur qeveria nuk arrin të përballet me zjarret, VMRO-DPMNE ia hedh fajin LSDM-së, madje duke pretenduar se ata i kanë shkaktuar zjarret.
“Kjo është një absurditet i madh, dhe nëse ndjekim këtë logjikë, komunat më të prekura janë pikërisht ato ku kryetarët janë nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. A duhet, atëherë, ne të ndjekim të njëjtën logjikë dhe të themi se zjarret atje janë vënë nga persona të afërt me VMRO-DPMNE? Një absurditet që nuk mbahet mend. Me këtë logjikë dhe me këto pretendime, VMRO-DPMNE tregon një paaftësi të dyfishtë”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Nga LSDM, sërish, kërkojnë nga pushteti të pranojë dy amendamentet për rishikimin e buxhetit, prej të cilëve njëri ka të bëjë me përmirësimin e sistemit për përballimin e zjarreve.
