Që vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Europian deri në vitin 2030, siç paralajmëroi Qeveria me optimizëm, do të duhet të tregohet progres serioz në reforma, veçanërisht në fushën e sundimit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit, thotë Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Europiane. Pikërisht në këto fusha kemi marrë kritika më të ashpra që janë pjesë e kapitullit 23.
“Mendoj se është mirë për të gjithë shoqërinë që të ketë një datë deri në të cilën duhet të realizojmë, por do të duhet të punohet shumë më tepër në aspektet e reformave, siç thotë edhe vetë Komisioni. Anëtarësimi nuk varet vetëm nga ne, por nëse përpiqemi të bëjmë disa nga këto gjëra, do të jemi më të gatshëm deri në vitin 2030 në vend që të flasim vetëm për to”, tha Simonida Kacarska, drejtoreshë e Institutit për Politika Europiane.
Kacarska thekson se reformat duhet të merren seriozisht dhe plani që pritet për rritjen që e shpalli Komisioni Europian lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si do të përmbushen këto reforma. Ajo bëri një krahasim me vendet e tjera të rajonit.
“Po të shikojmë horizontalisht me pjesën tjetër të kandidatëve, që janë 10, ne ende qëndrojmë shumë mirë në gatishmëri, në aspektin e bazave, madje më mirë se ata, nota e përgjithshme është ende e lartë, por notat nga viti i kaluar janë të ndryshme. Ajo që na shqetëson është se nuk ka progres në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit”, shtoi Kacarska.
Nëse deri në vitin e kaluar në Raporte vlerësoheshim se kemi progres, tani në pjesë të madhe të sferave thuhet se ose ka “progres të kufizuar” ose vlerësohet me “nuk ka progres”, thuhet në analizën e Institutit për Politika Europiane.
