Amerika heq maskat për të vaksinuarit, Filipçe mendon ndryshe: Është herët të ndërmerret ky hap te ne

TË FUNDIT

Personat e vaksinuar plotësisht mund të përshëndeten me maskat dhe të vazhdojnë më aktivitet jetësore normalisht. Ata nuk duhet të mbajnë distancë dhe mjete mbrojtëse as në ambiente të hapura e as të mbyllura. Këtë vendim e ka sjellë drejtori i Qendrave për Kontroll dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA-ve, Rochelle Walensky.

Mirëpo një lehtësim i tillë nuk vlen edhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ndonëse rreth 30 mijë persona janë vaksinuar me nga dy doza anti-covid, maskat duhet të vazhdojnë t’i mbajnë. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe është i qëndrimit se është herët për një hap të këtillë. Ai vlerëson se maskat duhet të na shoqërojnë deri në një afat të pacaktuar.

“Realisht shohim se qytetarët tanë edhe nëpër parqe nuk i përmbahen kësaj mase. Personalisht vlerësoj se është herët. Gjithsesi duhet që të vaksinohen një pjesë më e madhe, por në ndërkohë duhet që edhe masa të ketë logjikë, moti i nxehtë e kështu me radhë… do të flasim javën e ardhshme për këtë çështje.” – deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Filipçe njofoi se të hënën mblidhet Komisioni për sëmundje infektive për të diskutuar në lidhje me masat preventive për Covid19. Mes tjerash ekspertët do të shqyrtojnë kërkesat e hotelierëve, që të zmadhohet kapaciteti i mysafirëve nëpër tavolina dhe të ketë muzikë live.

 “Kërkesat janë të logjikshme, megjithatë jemi në një periudhë ku po kalojnë disa javë nga zbutja e masave. Tani për tani nuk ka paralajmërim për përkeqësim të situatës nga lehtësimi disa javor. Do ta analizojmë situatën deri të hënën, analiza dyjavore dhe krahasimin, e pastaj do të sjellim vendim. Tani për tani mendoj se masat aktuale, duhet të jenë në fuqi minimum edhe një javë.” – deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Ndryshe deri tani janë vaksinuar rreth 150 mijë qytetarë. Sot do të mbërrijnë 40 mijë vaksina të AstraZenecas përmes mekanizimit Covax, ndërsa nesër 100 mijë doza të Sinofarm donacion nga armata kineze. Masat e reja, që Qeveria e RMV-së i miratoi të martën, do të vlejnë deri më 18 maj.