Alternativën e ka kapluar heshtja pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët për hyrje në Qeveri. Tash që po ia marrin Ministrinë e Shëndetësisë dhe disa dikastere të tjera, askush nga partia e Afrim Gashit nuk del të tregojë se si do të veprojnë, do të rrinë apo do të dalin nga Qeveria? Pasi askush nuk pranoi të flas para kamerës, këtë pasdite përmes një kumtese thanë se kryesia më e ngushtë është në koordinim të vazhdueshëm dhe se me vëmendje është duke i shqyrtuar të gjitha rrethanat të cilat, siç thonë, i prishin principet mbi të cilat është dashur të mbështetej koalicioni Evropian.
“Arsyetojmë me maturi, pa emocione të vetëdijshëm plotësisht për sfidat të cilat na presin. Edhe njëherë potencojmë se nuk do të biem në grackën e cila na është vënë. Nuk do të lejojmë minimum hapësirë që Alternativa në çfarëdo mënyrë vet të kontribuojë për proceset që do të pasojnë në mënyrë të pashmangshme.”- thonë nga ALTERNATIVA.
Partia e Gashit ka vendosur që qëndrimin final ta ndërtojmë në seancën e Kuvendit Qendror që do të mbahet të dielën me fillim në orën 16.00 në selinë në Tetovë.
Jozyrtarisht mësohet se qëndrimet brenda Alternativës për dalje apo jo nga Qeveria janë të ndryshme mes vetë pjesëtarëve të kryesisë më të lartë të partisë. Sipas burimeve të TV21, Alternativa deri më tani e ka pritur pikërisht konfirmimin final të resorëve që do të merr ASh, për të marrë vendimin nëse e lëshojnë Qeverinë, por me sa duket vendimi nuk është aspak i lehtë.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje tha se dera për Gashin mbetet e hapur.
“Ne jemi dakord që duam që Alternativa të mbetet pjesë e shumicës parlamentare dhe qeverisëse, duke marrë parasysh që bëhet fjalë për hyrje të një partneri të ri në koalicionin qeverisës, kjo do të thotë rritje të shumicës, kjo do të thotë edhe rregullim i mandateve të deputetëve që do të jetë ndryshe nga rregullimi aktual, kjo do të thotë se partitë politike që janë pjesë e shumicës aktuale, duhet të bëjnë përshtatje të caktuara, me qëllim që të realizohet ky qëllim. Dera për Alternativën është e hapur.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryesministër.
Alternativa ka 3 deputetë. Bashkë me ta e gjitha shumica parlamentare i ka 64 deputetë. Përfshirja e ASH-së në shumica do ta rriste numrin në 72 deputetë, por nëse Alternativa del, ky numër bie në 69. Te numrat në Kuvend duhet pasur parasysh edhe të ashtuquajturin “grupi i zjarrit” i cili tashmë zyrtarisht dihet se i ka 3 deputetë. Nëse as këta s’do ta përkrahnin shumicën e re, ajo do të binte në 66 deputetë, pra mjaftueshëm për shumicën e thjeshtë. Sido që të jetë të gjitha partitë shqiptare janë shprehur se do të mbështesnin ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve, por prapëseprapë numrat prej 80 vota deputetësh nuk bëhen pa ata të VMRO-DPMNE-së, për të cilët do të mbetet për tu parë se si do të veprojnë deri në nëntor dhe nëse ndonjëri do të ndryshojë qëndrim.
