"ALMIRI" PARTITË SHQIPTARE: DËNIMI I VOGËL PËR ILIQIN, OSMANI RIPËRSËRTI IDENË PËR VETING NË GJYQËSOR

TË FUNDIT

 

Dënimi i Boban Iliçit me gjashtë vite burg, duke ju llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim për vrasjen e Almirit ka shkaktuar reagime në opinion. Zëvendës-kryeministri Bujar Osmani tha se rikualifikimi ishte arsyeja e dorëheqjes së ministrit Adnan Jashari. Ai përsëriti kërkesën për veting të plotë të gjyqësisë dhe tha se dorëheqja e Jasharit është dashur t’u shërbej si shembull institucioneve.

“Vazhdojmë me përpjekjet tona për të kërkuar edhe veting të plotë por edhe projekt të cilët e kemi nisur ne si sekretariat me OSBE-në, për të dëshmuar këtë që po themi ne. Se nuk është vetëm përshtypje aspekti i paragjykimit sistemor etnik në gjykata, por duam ta dëshmojmë me fakte dhe prandaj me OSBE-në kemi nisur një projekt për të marrë raste të veçanta nga e kaluara për vepra të njëjta si janë dënuar, si janë dënuar maqedonasit dhe si janë dënuar romët, që të dëshmojmë se ka paragjykime, kush janë bartës të atyre paragjykimeve dhe njëherë e përgjithmonë ta ndalojmë këtë trend. Për shkak se kjo rrënon besimin në gjykatë, por rrënon edhe të ardhmen e vendit”, tha Osmani.  

Reagoi edhe Aleanca për Shqiptarët nga ku thonë se gjykata Themelore e Kumanovës edhe kësaj radhe dëshmoi se vepron jashtë ligjeve te Maqedonisë së Veriut, të cilat ligje qartë rregullojnë autorizimet e Gjykatave dhe Gjykatësve.

“Jemi dëshmitar se edhe kësaj radhe gjykata vendosi drejtësi të një anshme, për herë të tretë e vrau Almirin e vogël duke i dhënë dënimin minimal vrasësit Boban Iliqit, por edhe më e keqja duke i dënuar edhe familjarët e Almirit të vogël. Me shpalljen e akt-gjykimit u pa qartë se kishte të bënte me një dënim jo i bazuar në fakte dhe dëshmi të cilat dëshmi saktë e caktojnë kush ishte vrasësi dhe kush ishte i dëmtuari”, thonë nga Aleanca pë Shqiptarët.

Lëvizja Besa ka dënuar vendimet selektive të gjykatave. Nga atje vlerësojnë se ky është edhe një proces i radhës i montuar politik.

Për fat të keq pas rasteve të montuara si “SOPOTI”, “KUMANOVA”, “BRODECI”, “MONSTRA” dhe shumë rasteve tjera, tash gjykatave të turpit ju shtua edhe rasti i montuar i “Almirit”. Kërkojmë nga të gjithë institucionet kompetente, të marrin seriozisht rastet e ndjeshme si të Almirit, të zbardhen plotësisht dhe të mos ketë drejtësi selektive, ndryshe për shqiptarët dhe ndryshe për maqedonasit”, deklaroi Elmedin Memishi.

Me reagim ka dalë edhe Alternativa e Afrim Gashit.

“Shqiptimi i dënimit për vrasësin e Almir Aliut, një masë shpërblyese për veprën e kryer, edhe një herë dëshmoi se Maqedonia e Veriut le që nuk i përmbush standardet evropiane të drejtësisë, por me gjykime të këtilla etnike, ku shqiptarët për vrasje aksidentale dënohen me dënime të përjetshme, ndërsa maqedonasit për vrasje të qëllimshme gjykohen si për kundërvajtje në trafik, njëherazi flet edhe se drejtësia e vendit tonë mund të barazohet vetëm me vende si Koreja e Veriut”, thonë nga partia e Gashit.

Ndryshe rasti ka ndodhur më 25 qershor të vitit 2016, kur Boban Iliq shtypi me makinë Almir Aliun.