Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, në Click Plus e cilësoi si politikë ditore interpelancën e opozitës shqiptare sa i përket shkarkimit të kryeprokurorit Ljubomir Joveski. Sipas tij, shkarkimi i tij nuk është i logjikshëm sepse edhe ashtu ai tani po e përfundon mandatin.
“Më duket e palogjikshme tre javë përpara se zotëriu që përmendët, Joveski, duhet të shkojë në pensionim”, tha Azir Aliu – Ministër i MSHIA.
– Po përfolet si gjyqtar i kushtetueses..
“Thjeshtë unë nuk e njoh kush është por edi që ka bërë keqpërdorime, kam dëgjuar. Ku janë zotëritë para një vit e gjysmë dy kur ne si opozitarë ngritnim zërin të bashkohen me neve e të kërkojmë edhe Joveski të shkon aty ku duhet të shkon, edhe të tjerët. Thjeshtë kjo qasje e krijimit të politikave ditore nuk është e shëndoshë as për neve si shqiptarë as për popullin”, shtoi Aziri.
Por për deputetin e Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, këto deklarata janë të pakuptimta. Sipas tij, nuk duhet lënë pa ndëshkuar puna e papërgjegjshme apo mos puna e Joveskit vetëm pse ai është në prag të pensionimit.
“Nuk mund t’i kuptoj deklaratat nga një subjekt politik i cili gjatë gjithë kohës sa ishte në opozitë pikërisht kishte luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Tani në momentin kur ka një iniciativë ndaj një personi i cili duhet të jetë luftëtari më i madh në betejën kundër krimit dhe korrupsionit siç është prokurori i përgjithshëm i shtetit e të themi se atij i përfundon mandati dhe nuk duhet të kemi përgjegjësi për veprimet apo mosveprimet e bëra”, tha Fadil Zendeli – Deputet i L.Besa.
Zendeli dyshon se këta persona publik me siguri kanë marrë ndonjë shërbim nga kryeprokurori Joveski dhe tani nuk duan të merren me të. Zendeli bën thirrje deri te të gjithë deputetë të cilët dyshojnë se kryeprokurori Joveski dhe punën e tij të deritanishme, të përkrahin interpelancën e dorëzuar në Kuvend. Përndryshe interpelanca pritet të vendoset në pikë dite më datën 2 nëntor.
