Kongresi i Alfabetit e oksidentalizoi kulturën e shkrimit shqip, si një mundësi e favorshme për ta shkëputur rrjedhën e historisë nga anarkia e shkronjave me alfabete të ndryshme në një alfabet unik, u tha drejtori i ITSHKSH, Skender Asani.
“Përvetësimi i alfabetit latin dhe standardizimi i tij për nevojat praktike të shkollave, librave, gazetave e revistave, i dha kulturës shqiptare një favor tepër të madh sepse në këtë mënyrë procesi i komunikimit dhe bashkëpunimit me kulturat perëndimore ishte më efikas”, tha Skender Asani, drejtor i ITSHKSH.
Duke rikujtuar shprehjen e Naim Frashërit “Për ne Dielli lind një Perëndim”, edhe ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, Siril Bomgartner, e theksoi rëndësinë e përdorimit të alfabetit latin në gjuhën shqipe.
“Më 14 nëntor 1908 elita shqiptare e tubuar në Kongresin e Manastirit e përzgjodhi alfabetin latin. Kjo përzgjedhje përkonte me një vendim të madh me vetëdije të plotë, atë të një perspektive perëndimore dhe të një orientimi strategjik drejt perëndimit”, tha Siril Bomgartner, ambasador i Francës në RMV.
E zëvendës ambasadori amerikan në Shkup, Erik Mejer, u shpreh se është koha që historia të kthehet në element ndërtues që i bashkon njerëzit e Ballkanit.
“SHBA vlerësojnë trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore po aq sa edhe diversitetin në Maqedoninë e Veriut dhe do të vazhdojmë të promovojmë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin mes komuniteteve të ndryshme në vend”, tha Erik Mejer, zv/ambasadori i SHBA-së në RMV.
Në manifestimin përmbyllës “Ditët e Alfabetit” në ITShKSh i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i parë i Artan Grubi, ambasadori i Italisë Andrea Silvestri, ai i Izraelit – Dan Orian, i Shqipërisë Fatos Reka si dhe profesor Anton Nikë Berisha – në emër të Universitetit të Kalabrisë dhe Pelermos, ku ende studiohet gjuha e kultura arbëreshe. Gjatë nëntë ditëve të kaluara, në kuadër të “Ditëve të Alfabetit”, u shtjellua tema si gjuha, letërsia, kultura dhe tradita arbëreshe.
