Paraburgim për shoferin e kamionit, dyshohet se nuk i është përshtatur kushteve të rrugës dhe dendësisë së trafikut

TË FUNDIT

Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit për shoferin e kamionit të përfshirë në aksidentin tragjik në qarkoren veriore të Shkupit, ku humbën jetën katër persona, transmeton TV21.

Sipas Prokurorisë Themelore në Shkup, shoferi 76-vjeçar nga Kosova dyshohet se nuk i është përshtatur kushteve të rrugës dhe dendësisë së trafikut, duke rrezikuar sigurinë publike dhe jetën e njerëzve.

Prokuroria ka nisur procedurë hetimore ndaj tij për “krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik”, ndërsa për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprës është kërkuar dhe është pranuar paraburgimi.

Sipas hetimeve fillestare, shoferi po drejtonte një kamion tip MAN me gjysmërimorkio kur ka humbur kontrollin, ka devijuar në korsinë e kundërt, ka kaluar barrierën metalike ndarëse dhe është përplasur frontal me një veturë BMW.

Pas përplasjes së fuqishme, të dy automjetet janë përfshirë nga zjarri, ndërsa katër personat që ndodheshin në BMW vdiqën në vendin e ngjarjes.

Shoferi i kamionit është i vetmi i mbijetuar dhe autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.