Që investitorët të gjejnë terren të gatshëm, po përgatiten ndryshime ligjore për ndërtimin e data qendrave në Maqedoni

TË FUNDIT

Ndryshimet në Ligjin për planifikim urbanistik dhe Ligjin për ndërtim, me të cilat do të mundësohet ndërtimi i data qendrave në Maqedoninë e Veriut, janë në fazën përfundimtare njoftoi ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, transmeton TV21.

Ai theksoi se këto ndryshime synojnë të tërheqin investime të reja, të hapin vende pune dhe të rrisin BPV-në, duke ndjekur trendet botërore në zhvillimin e inteligjencës artificiale, ku data qendrat janë të domosdoshme për mbështetjen e saj.

Sipas tij, vendi duhet të ndjekë politikë të zgjuar për të tërhequr investitorë në këtë sektor dhe për këtë arsye nevojiten ndryshime ligjore që të rregullojnë ndërtimin dhe urbanizimin e tyre.

“Planifikojmë që kjo të bëhet në mënyrë të centralizuar dhe brenda Qeverisë të udhëhiqet i gjithë procesi, me qëllim që kur të vijnë investitorët potencialë të kenë tashmë lokacione dhe projekte të përgatitura në të cilat mund të investojnë. Kjo do të nënkuptojë qindra miliona euro për Maqedoninë, vende të reja pune dhe rritje të PBB-së. Për këtë qëllim po bëjmë ndryshime në Ligjin për planifikim urbanistik dhe Ligjin për ndërtim, të cilat janë në fazën finale, me të cilat mundësojmë që data qendrat të ndërtohen në Maqedoni”, u shpreh Aleksandar Nikolloski – zëvendëskryeministër dhe ministër i Transportit.