Aleanca për Shqiptarët pranon propozimin francez! Sela: Kur do të ndodhin ndryshimet kushtetuese, të hiqet 20% për shqipen

TË FUNDIT

Aleanca për Shqiptarët pranon propozimin francez. Kështu deklaroi kreu i partisë Ziadin Sela, pas takimit një orësh që pati me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Sela tha se nuk ka dyshim se qëndrimi i ASh-së është se rruga e vetme e Maqedonisë është Unioni Evropian dhe asgjë tjetër.

 “Nuk bëhet fjalë vetëm për pranimin ose jo të propozimit francez, por bëhet fjalë për dilemën e madhe a do të vazhdojë Maqedonia drejt BE-së apo do të ndërpritet ky udhëtim. ASh është në anën e vazhdimit të këtij rrugëtimi evropian, jemi në anën e mos krijimit të alternativave të tjera çfarëdo qofshin, qofshin të quajtura Ballkani i Hapur. Alternativa e vetme e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit duhet të jetë Bashkimi Evropian dhe asgjë tjetër hiç” Ziadin Sela, kryetar i ASh-së.

Sela tha se në takim me kryeministrin Kovaçevski ia ka shpreh qëndrimin se në rast se vjen çështja deri te hapja e Kushtetutës për futjen e bullgarëve, duhet të ndryshohet edhe pjesa ku gjuha shqipe definohet si “20%”. Sela tha se pret që spektri politik maqedonas me të njëjtin fanatizëm që po mbron gjuhën maqedonase, të kuptojë ndjesinë e shqiptarëve në lidhje me gjuhën shqipe.

“Definicioni për gjuhën shqipe është gjuha që flasin mbi 20 për qind e popullatës dhe që është e ndryshme nga gjuha maqedonase. Ky definicion, ne presim si Aleancë për Shqiptarët që kur të hapet Kushtetuta, tani më nga deklarimet publike të subjekteve politike edhe maqedonase që janë të gatshëm të ulen ta ndryshojnë këtë definicion të kalojmë në ndryshimin praktik të këtij definicioni”, tha Ziadin Sela, kryetar i ASh-së.

Kryeministri Kovaçevski nuk u deklarua për media pas përfundimit të takimit. Nga Qeveria dërguan kumtesë në të cilën thonë se ne takim kryeministri i përcolli pozicionet e Qeverisë në raport me propozimin evropian, duke theksuar se nevojiten vendime të mençura dhe përgjegjësi që siguron të ardhmen evropiane.

“Në bisedimet kryeministri Kovaçevski theksoi se ky propozim final evropian mundëson fillim pa kushte të bisedimeve për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe operacionalizim të vendimit të Këshillit Evropian prej në mars të vitit 2020, me ç ‘rast negociatat me Bashkimin Evropian do të mund ti fillojmë menjëherë pas sjelljes së vendimit tonë për pranimin e propozimit” thonë nga Qeveria.

Takimi me Selën ishte në vazhdën e takimeve konsultative që po zhvillon kryeministri Dimitar Kovaçevski në lidhje me propozimin e presidencës franceze për heqjen e vetos bullgare dhe hapjen e negociatave me BE-në.