Aleanca e befasuar nga Alternativa! Aziri: Ata vendosën barriera të forta mes nesh

TË FUNDIT

Aleanca për Shqiptarët është befasuar nga vendimi i AAA për hyrje në Qeveri. Nënkryetari i kësaj partie Elmi Aziri tha se nuk e kupton se si mundet partia e Gashit kaq lehtë ta shkel marrëveshjen që kanë pasur.

 “Ne jemi të befasuar me lehtësinë se si mundet një parti politike e cila deri ishte në koalicion me ne, të heq dorë nga një nënshkrim të cilin e ka dhënë për një marrëveshje bashkëpunimi me ASH deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa shumë shpejt të nënshkruan marrëveshje për tu bërë pjesë e Qeverisë, një qeveri e cila sipas gjitha treguesve është Qeveria më e dobët që e ka e pa pas Maqedonia “, pohoi  Elmi Aziri, ASH.

Aziri shtoi se kjo marrëveshje Zaev-Gashi është diskutabile, me vet faktin se Zaev shumë shpejt do të largohet nga pozicioni i tij si kryeministër.

“Është diskutabile edhe qasja, janë diskutabile dhe jo bindëse edhe motivet për shkak të këtij inkuadrimi të AAA në Qeveri aq më tepër kur kemi deklarata të kryeministrit aktual Zaev i cili deklaroi se marrëveshjen e nënshkruar do ta merr për obligim kryeministri i ardhshëm, pra këtu flitet për një jo seriozitet të madh”, tha Elmi Aziri nga ASH.

Ash mendon se vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa theksojnë se tashmë AAA ka prishur të gjitha raportet për bashkëpunim.  

“Veprimet e fundit të AAA kanë vendosur barriera shumë të forta mes neve dhe atyre aq më tepër kur ata ishin me neve dhe zgjedhën një anë tjetër. Në momentin që po flasim ata janë shumë afër  LDSM-së dhe BDI-së”, pohoi  Elmi Aziri nga ASH.

Aziri bëri të ditur se nga tani ASH në kuvend do të funksionojë si grup i veçantë i koalicionit, ndërsa koordinator i grupit parlamentar do të jetë deputetja Ilire Dauti.