Akuza për humbje dhe zvarritje të lëndëve! Gjykata Administrative dhe Këshilli Gjyqësor i quan tendencioze

TË FUNDIT

Mbi 5 mijë lëndë po mbahen në sirtarin e Gjykatës Administrative dhe nuk janë dorëzuar për ankimimim në Gjykatën e Lartë Administrative, ndërkaq dhjetëra lëndë nga Dogana janë zhdukur dhe askush nuk mban përgjegjësi. Kështu Portali Svedok akuzon Gjykatën Administrative, i cili situatën e përshkruan si skandal serioz me elemente të korrupsionit.

 “Pasi Doganat raportuan në Këshillin Gjyqësor, dhe diçka e ngjashme u konstatua nga Komisioni Mbikëqyrës nga Ministria e Drejtësisë dy vjet më parë, madje tani, para Vitit të Ri, një komision nga Këshilli i udhëhequr nga Gjykatësja e Manastirit Meri Radevska, ishte në kontroll dhe në raport ka renditur të gjithë gjyqtarët me emër dhe mbiemrër të cilët gjykojnë në Departamentin e Doganave, lëndët e të cilëve janë zhdukur, nuk janë dërguar në ankimim për vite me radhë, dhe janë zbuluar një numër i konsiderueshëm i lëndëve, shkelje doganore, të cilat janë vjetëruar te gjyqtarët në këtë departament, shkruan portali në fjalë.

Nëkohësisht thuhet se në dokumentet e dërguara nga Gjykata në Këshill, të nënshkruara nga kryetari, janë konstatuar shumë vendime të padorëzuara dhe janë përpjekur që numrin ta reduktojnë në minimal. Kështu që, nga nentori i vitit 2018, nga mbi 5 mijë ankesa, me anë të aksioneve të vazhdueshme, fokus i të cilave ishte kompletim dhe dorëzim i lëndëve deri te Gjykata e Lartë Administrative, sot numri i lëndëve te padorëzuara deri te gjykata kompetente është nën 1500.

E këto akuza i hedh poshtë vetë kryetari i kësaj Administratives Burim Sejdini, i cili thotë se janë dezinformata, apo siç i quajti informacione tendencioze të pabaza nga ana e portaleve.

 “Prentendimet e portaleve të ndryshme për kinse skandale, janë të pavërteta. Më vjen shumë keq dhe kategorikisht mohoj se shërbimet e gjykatës administrative kanë qenë të kontaktuara prej shpallësit të informatës për gjendjen e këtillë, domethënë nuk ka asnjë lloj kontakti asnjë lloj burimi i cili është përdorur që të ilustrohet situata reale, siç bëni ju”, theksoi Burim Sejdini – Kryetar i Gjykatës Administrative.

Kreu i Gjykatës Administrative nuk e pranoi as akuzën se lëndë të caktuara janë zhdukur.

 “Nuk është e vërtetë. Bëhet fjalë për një kërkesë të Drejtorisë së Doganave drejtuar Këshillit gjyqësor, e adresuar pastaj te ne, me të cilën kërkojnë 425 lëndë plotfuqishmëri të tyre. Ne jemi përgjigjur në gjithsej 415 lëndë me klauzolë për plotfuqishmëri dhe dhjetë lëndë janë në procedurë. Mirëpo çfarë ndodh, bëhet fjalë për lëndë që janë të zgjedhura në vitin 2008, nga viti 2008 deri në vitin 2012. Ka vështirësi normalisht që në 120 mijë lëndë të gjinden lëndët për arsye se për tu konfirmuar plotfuqishmëria, do të duhet të shihet a u janë dorëzuar palëve, a janë plotësuar kushtet ligjore që të mund të konstatohet plotfuqishmëri”, tha kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini.

Zv/kryetari i Këshillit Gjyqësor Milazim Mustafa vlerëson se nëpërmjet spekulimeve të këtilla siç u shpreh, qëllimi është që të ulet besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor.

 “Si zv/kryetar i Këshillit Gjyqësor, mendoj se është tendencioze, jo e saktë. Disa pseudoportale kanë qëllime të errëta dhe dëshirojnë të arrijnë qëllime jo të mira për gjyqësorin, e me këtë edhe uljen e besimit të qytetarëve në sistemi gjyqësor. Megjithatë në takimin e parë të ardhshëm të Këshillit Gjyqësor do të shqyrtohet informata e tillë dhe do të kerkohet pergjigje dhe më hollësisht do të njoftohet publiku në lidhje me këto spekulime”, potencoi Milazim Mustafa – zv/kryetar i Këshillit Gjyqësor.

Në Gjykatën Administrative aktualisht ka rreth 1600 lëndë të padorëzuara në Gjykatën e Lartë, për të cilat kryetari i Gjykatës thotë se 80% janë nga viti i kaluar, duke shtuar se në siratirët e godinës që ai udhëheq nuk ka lëndë të padorëzuara më të vjetra se dy vjet.