Akuza mes BDI-së dhe Alternativës në Kërçovë! Mbeturinat “mollë sherri” mes dy partnerëve qeveritarë

TË FUNDIT

Çështja e mbeturinave, pas storjes së publikuar ditë më parë në TV21 ka ngjallur reagime të partive politike në Kërçovë.

Një ditë pas publikimit të lajmit për hedhjen e mbeturinave nga ana e ndërmarrjes komunale të Kërçovës në xeheroren e Osllomesë, nëpërmjet një shkrimi ka reaguar partia Alternativa dega në Kërçovë. Ata e kujtojnë Fatmir Deharin se ky është mandati i tij i tretë, ja rikujtojnë agjendën e gjelbër si dhe sloganin “Ju duam me punë”

Pas reagimit të tyre, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i degës së BDI-së në Kërçovë. Ata e quajnë hipokrizi reagimin e Alternativës, duke ju kërkuar që edhe ata të veprojnë sepse janë pjesë e qeverisë.

“Parashtrohet pyetja pse jeni në pushtet? Vetëm për privilegjet që ofrohen, për reprezentacionin dhe veturën zyrtare apo për një kollare të kuqe? Kur je i përfaqësuar në pushtetin qendrorë nuk mund të silleni si opozitë, vetëm për vëmendje dhe defokusim të opinionit publik, por e keni mundësinë që të jeni pjesë e zgjidhjes së problemeve”, thanë nga BDI – Dega Kërçovë.

E pas kësaj Alternativa u mblodh sot dhe morën hapin për të takuar kryetarin e Komunës së Kërçovës dhe për të gjetur një zgjidhje për mbeturinat. Por në Komunë nuk i priti askush sepse kryetari i Komunës i kishte njoftuar se nuk do të jetë aty.

“Ai nuk ka nevojë të bëjë armiq dhe ta politizojë këtë çështje, sepse më këtë problem ballafaqohen të gjithë qytetarët, ai është kryetarë i gjithë qytetarëve dhe ne si Alternativë ja bëjmë me dije prej këtu se jemi të gatshëm me ministrat tonë që i kemi qeveri, le ta thotë cila ka qenë pengesa për këtë dy tre muaj që jemi në qeveri që nuk ka lejuar ose nuk është përkrah kësaj kërkese të komunës që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë aq më shumë se ka edhe problem të tjera të vogla që mund të zgjidhjen shumë shpejtë”, tha Mazllam Osmani, Alternativa Kërçovë.

Nga Alternativa në Kërçovë thonë se kanë përkrahjen e kryetarit të tyre Afrim Gashi dhe deputetëve për të zgjidhur problemin e mbeturinave në Kërçovë, andaj në komunë kishin ardhur për t’ia përcjellë këtë përkrahje Deharit dhe për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.