Akusherja i preu foshnjës një pjesë të gishtit/ Klinika e Gjinekologjisë: Ajo është suspenduar nga puna

TË FUNDIT

Derisa po e përgatiste foshnjën e porsalindur për ta lëshuar nga spitali, akusherja aksidentalisht gjatë heqjes së fashës ia ka prerë një pjesë të gishtit foshnjës. Ngjarja ka ndodhur në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë, në Qendrën Nënë Tereza në Shkup, me ç’rast menjëherë ka intervenuar kirurgu për fëmijë, i cili ka sanuar plagën dhe foshnja nuk do të ketë pasoja.


“Pediatri kujdestar ka vepruar në mënyrë profesionale dhe me përgjegjësi dhe është thirrur menjëherë kirurgu pediatër. I porsalinduri është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, ku i është mjekuar plaga. Akusherja është pezulluar, doli para Komisionit Disiplinor dhe iu dha dënimi maksimal sipas Ligjit të kujdesit shëndetësor, si dhe ndërrimit vendit të punës”- thanë nga Klinika Gjinekologjike.

I pyetur për këtë, ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, tha se nuk ka informacione, ndonëse ngjarja ka ndodhur më 1 dhjetor.
“Sinqerisht nuk kam informacione të tilla, menjëherë do të pyesim por e dini se të gjitha këto institucione shëndetësore kanë menaxherë, komisione disiplinuese dhe sipas tyre vendoset, por sido që të jetë, do të njoftojmë saktësisht.”- tha Fatmir Mexhiti – Ministër i Shëndetësisë.

Ndryshe, nga Klinika e Gjinekologjisë sot njoftuan se akusherja tashmë është suspenduar nga puna.