Aktakuzë për autobusët kinezë me dy kate, akuzohen Mile Janakieski dhe Igor Janushev

TË FUNDIT

Prokuroria Publike Themelore për Përndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, njoftoi se kanë dorëzuar aktakuzë kundër katër personave për blerjen e 202 autobusëve kinezë me dy kate. Siç informojnë, ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit që është në kundërshtim me Ligjin për Furnizime Publike. Ata e kanë favorizuar operatorin nga Kina, dhe me këtë, siç thonë nga Prokuroria, kanë realizuar përfitim dhe e kanë dëmtuar buxhetin shtetëror për 4.772.920 euro. I akuzuari i parë është Mile Janakieski, i cili aso kohe ishte ministër i Transportit dhe Lidhjeve, kurse i akuzuar është edhe Igor Janushevi i cili ishte drejtor i Ndërmarrjes Qarkulluese Publike. Siç shpjegojnë nga Prokuroria, pas tre procedurave të pasuksesshme për blerjen e autobusëve dykatësh që janë zbatuar gjatë vitit 2008 dhe 2009, në shkurt të vitit 2010 është zbatuar procedurë e re për furnizim publik. Gjatë shqyrtimi të ofertave, të akuzuarit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Furnizime Publike dhe kanë favorizuar operatorin ekonomik i cili deri në hapjen e ofertave nuk ka dorëzuar garanci bankare dhe certifikatë për cilësi, siç është shkruar në dokumentacionin e tenderit. Komisioni në vend që ta hedhë poshtë ofertën, për shkak se nuk ka qenë e kompletuar, ka vazhduar me procedurë dhe ka bërë vlerësimin e dy ofertave të dorëzuara. Edhe pse oferta e operatorit ekonomik nga Bullgaria ka qenë për 4.7 milion euro më e ulët, komisioni ka zgjedhur operatorin nga Kina dhe të akuzuarit të parë i ka propozuar të lidhë marrëveshje me të. Siç dihet, autobusët kinezë me dy kate ishin blerë gjatë Qeverisë së VMRO-DPMNE-së të udhëhequr nga Nikolla Gruevski. Dërgesa e parë e këtyre autobusëve ka mbërritur në vitin 2011./TV21