Ditëve të fundit janë regjistruar disa aksidente të rënda në komunikacion. Hasim Murtezani doktorant në fushën e sigurisë, thotë se shkaqet për aksidentet me pasoja fatale janë dy, faktori njëri dhe institucionet. Sipas tij, institucionet duhet të ndërmarrin masa rigoroze kundër atyre që nuk respektojnë rregullat në komunikacion.
“Papërgjegjshmëria e shoferëve të cilët janë të pa përmbajtur ndaj shpejtësisë së caktuar vjen deri tek ajo që ndodhin aksidente me pasoja vdekjeprurëse. E dyta është faktori institucional që nënkupton investimi shtetëror, në mirëmbajtjen e rrugëve dhe sigurimin e rrugëve të qarkullueshme”, u shpreh Hasim Murtezani, doktorant në fushën e sigurisë.
Ai thotë se nëse vendosen kamera sigurie, do të shtohet siguria.
“Faktor tjetër është policia si organ, institucion i cili duhet të shpeshtoj patrullimin e rrugëve dhe vendosjen e sinjaleve edhe me foto aparate , ku bëhet fotografimi i shoferëve, apo modernizimi gjobave të caktuara, sigurisht që ndikojnë në zvogëlimin e rasteve me vdekje në komunikacion”, theksoi Hasim Murtezani, doktorant në fushën e sigurisë.
Murtezani gjithashtu thotë se policia duhet t’i shtojë edhe veprimtaritë represive, të dënojë, të mos falë dhe t’ua merr lejet e qarkullimit, atyre shoferëve të cilët nuk e respektojnë ligjin. Sektori për siguri të transportit rrugor për punë të brendshme në Shkup, më datë 13.06.2019 ka realizuar aksion dhe ka kontrolluar shoferët të cilët e kanë tejkaluar shpejtësinë e vozitjes në territor të qytetit të Shkupit Gjithsej janë sanksionuar 36 shoferë.
Ndryshe ditëve të fundit janë regjistruar disa aksidente me pasoja vdekje. Dy aksidente ndodhën në lagjen Draçevë. Aksident kishte edhe në rrugën Shkup-Bllacë, ndërsa aksidente të shumta regjistrohen në autostradën Shkup-Tetovë, siç ishte rasti me autobusin e Durmo-Turs.
Përgatiti: Mevludin Imeri
