U konsitutua përbërja e re e Këshillit të Komunës së Kërçovës.
Përbëhet nga 19 këshilltarë, prej të cilëve 8 janë nga radhët e VMRO-DPMN-së, 1 LSDM, 3 VLEN, 5 AKI dhe 2 nga lista e pavarur.
Këshilltarja e koalicionit VLEN Teuta Purellku propozoi Ajhan Sulkosin për kryetar të Këshillit.
“Si koalicion VLEN propozoj për kryesues këshilli zotëri Ajhan Sulkosin”, tha Teuta Ahmeti Purellku – Këshilltare Komunale VLEN.
Ky propozim kaloi me 12 vota pro të këshilltarëve të VMRO-DPMN-së, LSDM-së dhe VLEN-it.
“Me mirënjohje të sinqertë e pranoj detyrën e kryetarit të Këshillit të Komunës së Kërçovës”, shtoi Ajhan Sulkoski – Kryetar i Këshillit Komunal.
Këshilltarët e AKI dhe listës së pavarur që votuan kundër, reaguan pas përfundimit të seancës.
“Sot përfundimisht u shkel vullneti i qytetarëve të cilët më 19 tetor vendosën që ky këshill të frymojë shqip. Siç duket pazaret e VMRO-VLEN sa që vjen dalin në sipërfaqe dhe ato pazare i nxorën sot që ta marrin vesh të gjithë qytetarët. Ne si koalicion I AKI-së kemi zgjatur dorën e bashkëpunimit me VLEN dhe Listën e pavarur por ata kanë rënë në vesh të shurdhër”, deklaroi Shefki Imeti – Këshilltar Komunal /AKI.
“Përzgjedhja e kryetarit të Këshillit nuk paraqet dhe nuk manifeston një realitet që është në Komunën tonë që është një shumicë shqiptare dhe në këtë rast koalicionimi VMRO-VLEN e bënë që kryesuesi i Këshillit Komunal mos të manifestoj realitetin objektiv dhe faktik te Komunës së Kërçovës”, u shpreh Kujtim Kasami- Këshilltar nga Lista e Pavarur .
Kjo përbërje e re e Këshillit vjen nga zgjedhjet lokale të 19 tetorit dhe do të funksionojë në 4 vitet e ardhshme.
