Lideri i BDI-së Ali Ahmeti në Tetovë thirri në takim Këshillin e Përgjithshëm të partisë. Anëtarët si zakonisht u regjistruan në hyrje, ndërsa kryetari i përshëndeti një nga një. Në fjalimin e hyrës Ahmeti njoftoi se takimi është thirrur me qëllim që të jepen direktivat mbi punën që duhet të bëjë BDI pas zgjedhjeve të 8 majit dhe aktualiteteve politike.
Ahmeti pohoi se kryetari i VMRO DPMNE Hristijan Mickoksi, nuk respektoi vullnetin e popullit shqiptar, andaj thotë se pakënaqësinë do ta demonstrojnë.
“Qëndrimin që e mori VMRO, ne nuk e kontestojmë legjitimitetin e tyre, ne kontestojmë dhe do të demonstrojmë pakënaqësinë tonë, revoltën tonë. Me vendimin e tyre jo të drejtë që nuk respektuan legjitimitetin e fituar nga BDI dhe Fronti, si anëtarë që bashkërisht e bëmë fushatën dhe bashkërisht regjistruam fitoren e radhës”, tha Ali Ahmeti.
Nuk tregoi se si do të demonstrojnë pakënaqësinë, por Ahmeti tha se vendimi i Mickoskit nuk prodhon stabilitet etnik brenda shtetit.
“Zgjidhjen që ka barë z.Mickoski nuk është zgjidhje e drejtë dhe e mirë që prodhon stabilitet etnik dhe qëndrueshmëri në shtet sepse nuk jemi në komoditet që ne të bëjmë politika ditore. Ne nuk kemi politika të qëndrueshme me fqinjët. 10.59 Të mos e respektosh vullnetin e shumicës së qytetarëve të komunitetit të dytë më të madh me automatizëm nuk e ndihmon paqen, stabilitetin dhe sigurinë por edhe proceset euroatlantike”, deklaroi Ahmeti
Ahmeti foli edhe për koalicionin VLEN për të cilat tha se oreksi për pushtet ata i bëri vasal ndaj VMRO DPMNE-së.
“Nuk e di çka ndodhi në kampin të quajtur opozitar, sepse opozitar asnjëherë nuk kanë qenë, të gjithë, kanë qenë të veshur me pushtet për 22 vjet dhe ju të gjithë e dini. Se çka i shtyri të bëjnë këtë gabim, këtë përgjigje duhet ta japin ata. Oreksi për pushtet, oreksi për rahati, apo çka tjetër”, tha ai.
Ndryshe më 13 korrik, BDI do të mbajë edhe një takim qendror me të gjitha strukturat e partisë deri te nëndegët, për të diskutuar mbi hapat e mëtutjeshëm.
