Lideri i BDI-së Ali Ahmeti thotë se koalicioni ASH-AAA po demonstron patriotizëm të rrejshëm me propozim ligjin për shtetësi. Ai tha se opozita shqiptare gabon nëse bllokon kuvendin për shkak ligjit në fjalë.
“Nuk është mirë të bëhen blloqe dhe të demonstrohet patriotizëm i rrejshëm as maqedonët as shqiptarët, të thirremi te racionaliteti dhe te zgjidhjet e qëndrueshme”, tha Ahmeti.
Në pyetjen se a do t’i bashkohen opozitës shqiptare në votimin e ligjit për shtetësi, Ahmeti tha se nuk duhet çështjet e ndjeshme të shndërrohen në çështje patriotike.
“Të mos i shndërrojmë pikat e ndjeshme në çështje patriotike. Sa i takon nënshtetësisë ka edhe standarde botërore dhe evropiane dhe ne jemi kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe sigurisht që kjo temë është duke u diskutuar me specialist të bashkimit evropian dhe specialist maqedon dhe shqiptarë dhe assesi nuk duhet të partizohet as të politizohet çështja e nënshtetësisë”, shtoi Ahmeti.
Ndryshe dje në Kuvend u bllokua ligji për shtetësi, i cili është propozuar nga koalicioni ASH-Alternativa. Afrim Gashi dhe Zijadin Sela, bllokimin e ligjit për shtetësi e cilësuan si qasje antishqiptare të partive politike maqedonase.
“Nga njëra anë LSDM-ja nuk e pranon të tërë ligjin, e refuzon, ndërsa VMRO me amendamente e bllokon të njëjtin ligj. Kjo neve na tregon se ka një qasje antishqiptare dhe tendencioze duke e trajtuar këtë ligj i cili po i avancon të drejtat e shqiptarëve. Edhe njëherë ju them, se ky ligj ka për bazë të drejtat elementare njerëzore”, u shpreh Gashi.
“Nga ky moment ne paralajmërojmë, çdo ligj që vjen në parlament, pa marrë parasysh me çfarë ka të bëjë, ne do të sillemi njëlloj me mijëra amendamente, derisa nuk hiqen amendamentet që e bllokojnë ligjin që ka të bëjë me të qenurit njeri”, shtoi Sela.
VMRO-DPMNE ka dorëzuar mbi 500 amendamente për bllokimin e propozim ligjit për shtetësi. Kryeministri Zoran Zaev disa herë ka potencuar se nuk do ta mbështes ligjin e propozuar për shtetësi pasi sipas tij shtetësia nuk mund të merret me 3 dëshmitarë. Ndërsa Partneri i tyre i koalicionit Lëvizja Besa kanë qëndrim të kundërt, ata e mbështesin ligjin e propozuar nga opozita.
