Google Chrome, Firefox, Internet, Microsoft Word, Power point, Excel janë aftësitë kompjuterike që kandidatët e Alternativës i kanë shkruar në CV e tyre, kur u zgjodhën si zëvendësministra në ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Megjithatë hapja e dritareve kërkuese në internet është e cilësuar si njohuri elementare.
Në pyetjen e TV21 drejtuar zv/ministrit për Arsim dhe Shkencës Lulzim Aliu se përse i ka shkruar ato aftësi dhe çka di më shumë të bëjë përveç asaj që ka shkruar, Aliu u përgjigj:
“Unë i njoh aftësitë bazë të teknologjisë dhe informatikës. Ato që i di ato edhe i kam shkruar. Unë nuk jam informaticient, jam gjuhëtar”, tha Lulzim Aliu, zëvendës ministri i Arsimit dhe Shkencës.
Zëvendësministri i Kulturës, Daim Luçi i tha TV21 se puna e tij është të promovoj kulturën.
“Unë jam zv. ministër i Kulturës dhe detyra ime është që të merrem me promovimin e kulturës dhe aktiviteteve kulturore, aq më pak ia vlen të merrem me shkrime të këtilla banale”, tha zëvendës ministri i Kulturës, Daim Luçi.
Kuvendi mbrëmë zgjodhi zv/ministrat në resorët që kishin mbetur të zbrazura nga largimi i Lëvizjes Besa nga Qeveria dhe nga ndryshimi i kabinetit qeveritar që u bë më largimin e ish-kryeministrit Zoran Zaev.
