Afera maqedono-armene, Milenkovski: Nuk jam fajtor, dua të gjykohem në Maqedoni

TË FUNDIT

Pas skandalit, diplomati nga Maqedonia, Mile Milenkovski vazhdon të qëndrojë në paraburgim ekstradimi në Vranjë të Serbisë. Në një letër të dërguar në adresë të “Slloboden peçat” ai kërkon ekstradimin e tij.

 “Nga ana e Gjykatës më ishin dorëzuar provat nga Armenia. Në këto prova nuk ka diçka që do të tregonte fajin tim, e as nuk mund të ketë. Një kopje e provave është dorëzuar tek institucionet kompetente në RMV, prandaj besoj se ato do të nisin procedurë të shpejtë, duke pasur parasysh faktin se në dëshmitë për këtë rast janë përfshirë 7 persona, 6 prej të cilëve shtetas të Maqedonisë së Veriut. Për këtë arsye, RMV-ja do të kërkonte nga Republika e Serbisë të transferohem në RMV. Në këtë mënyrë drejtësia do të vinte në vend dhe rasti do të zgjidhej tërësisht, e kjo për momentin është dëshira ime më e madhe”, tha Mile Milenkovski – diplomat nga Maqedonia.

Familja e Milenkovski thotë se ditëve të fundit i kanë dorëzuar të gjitha dokumentet që i posedojnë për këtë rast deri te “të gjitha institucionet kompetente në vend”, sepse, siç shtojnë askush nga Maqedonia zyrtarisht nuk ka treguar interes para organeve gjyqësore të Serbisë që ta marrin dokumentacionin e plotë për rastin e Milenkovskit. Institucionet kompetente në vend – MPB-ja, MPJ, dhe Prokuroria Publike heshtin. Ato përmes një fletarrestimi të Interpolit kishin informacione për këtë skandal shumë kohë para se i njëjti të zbulohet në opinion publik.

 “Unë i kam informacionet të cilat më me siguri i ka edhe opinioni publik, edhe disa zyrtarë qeveritarë. Ministria e Drejtësisë këtu nuk luan asnjë rol, sepse për personin i cili është në paraburgim, për diplomatin tonë i cili është në paraburgim në Serbi, tek ne nuk është hapur asnjë procedurë që ta kërkojmë atë ne si shtet”, u shpreh Bojan Mariçiq – ministër i Drejtësisë.

Prokuroria e Armenisë, përveç kundër Milenkovskit, hapi hetim edhe kundër disa shtetasve të tjerë të Maqedonisë, bashkë me disa qytetarë të Bullgarisë dhe Ukrainës, të cilët gjithashtu ishin pjesë e grupit të njëjtë. Nuk ka informacione zyrtare as nga Serbia, e as nga Kroacia nëse Milenkovski dhe Dimitrijeviq tashmë janë ekstraduar në Armeni.

Ndryshe, tre diplomatë të Maqedonisë, me aeroplan privat dhe pasaporta diplomatike, në vitin 2019 e kanë nxjerrë nga Armenia afaristin maqedonas, Dimitrijeviq, i cili dy vjet më parë akuzohej për mashtrim në atë vend.