Shtatori është muaji kur Këshilli i UNESKO-s në Kinë do të mbaj mbledhjen e 45 me radhë dhe do të vendosë nëse trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit do të futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik.
Janë 19 rekomandime që duhet të përmbushen e të cilat janë dhënë që në kohën kur rajoni i Ohrit është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore edhe ajo në vitin 1979/1980.
Një nga rekomandimet më të rëndësishme dhe më shqetësuese janë ndërtimet afër liqenit të Ohrit të cilat duhet të plotësojnë disa kushte bazë, por ky rekomandim thuajse aspak nuk është përmbushur, përkundrazi është rënduar nga viti në vit.
Shqetësim tjetër ka qenë edhe derdhja e ujërave të zeza në liqenin e Ohrit dhe mbetjeve të tjera të dëmshme për të cilat aktivistët dhe qytetarët ankohen edhe sot e kësaj ditë.
Në Ohër vitin e kaluar janë prishur vetëm disa platforma të ndërtuara në liqenin e Ohrit, por jo edhe ndërtimet të cilat janë më afër se 500 metra nga bregu i liqenit.
Qytetarët e Ohrit janë skeptik sa i takon ruajtjes së statusit të UNESKOS, ata thonë se ka edhe shumë punë për tu bërë.
“Nuk do t’i largojnë nga këtu, ka fitim shteti, nëse nuk janë ata objekte ku do të shkojnë qytetarët”
“Duhet të largohen platformat nga uji, të mos ketë ndotje, të mos ketë ndërtime të forta rreth bregut të liqenit. Ka mjaftueshëm që i kanë larguar shumë”.
Të të njëjtit mendim janë edhe aktivistët të cilët merren prej vitesh me këtë problematikë. Nikolla Kiselinov thotë se nuk dinë se çfarë përmban raporti që ministria e Kulturës e ka dorëzuar në UNESKO javë më parë, por thotë se në terren gjërat nuk po lëvizin fare.
“Ne si aktivistë qytetarë nuk e kemi parë raportin, nuk dijë se çfarë shkruhet në atë raport, çfarë masash dhe aktivitetesh janë marr, por të flasim realisht në praktik situate është krejtësisht tjetër”, tha Nikolla Kiselinov-aktivist qytetar.
Zoran Pavlov, Drejtor në Drejtorinë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës thotë se ka përmirësime, megjithatë ai thotë se nuk duhet të ndalemi këtu së punuari për të pritur shtatorin dhe vendimin e UNESKO-s.
“Ruajtja e vlerave nuk është për hir të rekomandimeve, është për ne të gjithëve, për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm trashëgiminë me gjithë përjashtimin e saj. Ajo që shteti dhe institucionet kompetente po bëjnë sipas kapaciteteve të tyre kadrovike është në drejtim të përmbushjes së rekomandimeve të deklaruara në Raportet e organeve këshillimore të UNESCO-s dhe përmirësimit të situatës me trashëgiminë”, tha Zoran Pavlov- drejtor në Drejtorinë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga Ministria e Kulturës.
Por aktivistët mendojnë se situata është vështirësuar dhe nuk është përmirësuar dhe gati çdo vit situata bëhet edhe më e rëndë.
“Shumë vështirë, shumë vështirë, shihet vetëm destruktim dhe degradim i trashëgimisë kulturore natyrore dhe këtë e flasim me fakte, nga viti i kaluar deri tani në Parkun Nacional Galiçica ka shumë ndërtime të egra të ndërtuara të reja”, tha Nikolla Kiselinov-aktivist qytetar.
Zoran Pavllov e pohon faktin se punët në terren nuk janë të kënaqshme, por thotë se rekomandimet që janë kërkuar të përmbushen që në vitin 1980 nuk mund ti përmbushim brenda disa vitesh, ai madje thotë se mospërputhja e rregullimit ligjor, shpeshherë është pengesë për realizimin apo vonesën e disa aktiviteteve.
“Në përgjithësi, nuk mund të themi se nuk po bëjmë përparim. Në asnjë rast nuk duhet harruar se trashëgimia natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore që nga viti 1979/1980 dhe çfarë është bërë në periudhën deri në vitin 2017 (kur janë dhënë 19 rekomandimet e para nga Misioni Monitorues në 2017 ) nuk është e mundur të rregullohet në vetëm disa vite”, pohoi Zoran Pavlov- drejtor në Drejtorinë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga Ministria e Kulturës.
E përgjegjësinë më të madhe të këtij misioni e kanë kryetarët e Komunave, kryetari aktual i Komunë së Ohrit Kirill Pecakov nuk deshi ta komentonte këtë situatë. Nga kabineti i tij na thanë se javët në vijim do të ketë një pres konferencë në te cilën Pecakov do të prononcohet për mediat.
