Me shumë gjasa deri në fund të javës do të ketë marrëveshje fillestare me ndonjërin nga operatorët që i plotëson kushtet për të servisuar kanaderët, të cilët nuk u përfshijnë në shuarjen e zjarreve, për shkak se nuk janë të servisuar. Në rastin më të mirë servisimi do të zgjasë 30-40 ditë, por drejtori i Drejtorisë për Mbrojte dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, thotë se njëri prej tre kanaderëve do të jetë në funksion edhe më herët.
“Avionët tanë janë të tipit Air-Tractor, janë të një versioni më të ulët të avionëve të destinuar për zjarr dhe nuk janë servisuar që nga viti i kaluar. Procedura këtë vit filloi në kohë, dy herë është ankimuar dhe në fund kërkuam nga Byroja për Prokurime Publike të shkohet me negociata, ne kemi marrëveshje dhe procedura tashmë është në vijim”, tha Maksuti.
Për drejtorin Maksuti, pajisjet nuk janë më të rëndësishme por ndërgjegjja e qytetarëve për shkak se këto janë zjarre të shkaktuara me qëllim. Në këto ditë të nxehta me erë, sipas tij, as pajisjet më të fundit nuk mund të na shpëtojë. Thotë se deri dje Turqia nuk ka pasur fare kanaderë, tani ka blerë 9 nga Rusia dhe përsëri nuk mund të vendosë zjarret nën kontroll. Sipas tij nuk paraqet problem blerja, aq sa trajnimi i pilotëve të cilët duhet t’i fluturojnë, për shkak se ky është profesion i rrezikshëm. Pasi që të shteren të gjithë mekanizmat, atëherë mund të kyçen kanaderët, për shkak se është edhe e rrezikshme dhe ka kosto të lartë.
“Pajisjet janë sfidë, por jo edhe problemi më i madh. Problemi më i madh, përkatësisht prioriteti duhet të vendoset në ndërgjegjen, kontrollin për shkak se sipas të gjithë parametrave këto zjarre janë shkaktuar qëllimisht. Ose janë shkaktuar qëllimisht ose nga pakujdesia e faktorit njeri”, sqaron Maksuti.
Maksuti thekson se nevojitet më shumë kontroll se si funksionon sistemi. Në ditët e nxehta, nevojitet kontroll më i madh, patrullim, sanksionim nëpër vende ku ndalimi i lëvizjes nuk respektohet. Supozohet se 4 deri në 50 hektarë janë shkatërruar deri më tani, por ende nuk ka të dhëna zyrtare.
