Administrata po dixhitalizon shërbimet, ndërkohë, vazhdojnë pritjet nëpër sportele

TË FUNDIT

Në konferencën për ‘Ndërveprim në Evropën dixhitale’, u prezantua “Projekti për reformat në administratën publike dhe përkrahja e shërbimeve shtetërore”. Bartëse e projektit është Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, prej nga, zëvendësministrja Marta Tomovska, vlerëson se ky projekt ka të bëjë me aspektin e sistemeve të Teknologjisë Informatike ndërmjet institucioneve për t’iu ofruar qytetarëve shërbimet në formë elektronike.

“Është vendosur theks i posaçëm tek ato institucione, të cilat kanë nevojë më të madhe t’iu ofrojnë shërbime qytetarëve, siç janë: Regjistri qendror, Fondi shëndetësor, Fondi për sigurime pensionale dhe Kadastra. Të gjitha këto që ofrojnë shërbime për qytetarët, janë të përfshira në reforma, sipas projektit”, thotë Marta Tomovska, zëvendësministre e Ministrisë së shoqërisë Informatike dhe Administratës

Sipas koordinatorit të projektit, Jahi Jahiu, institucionet  do të kenë mundësi që gjatë dhënies së shërbimeve për qytetarët, të komunikojnë mes veti në mënyrë elektronike, që do të reduktojë koston dhe kohën e qytetarëve, më tej ai shprehet: “Më konkretisht, në Kadastër, nëse duhet të merret një licencë dhe për atë duhet një dokument shtesë nga ndonjë institucion tjetër, faktikisht, ky lloj komunikimi mundëson që qytetari mos të shkojë tek ai institucion tjetër, por përmes qasjes elektronike ta marrë posedim atë dokument që e ka në sistem dhe t’i marrin të gjitha në një vend”.

Ky është njëri nga institucionet, ku sipas koordinatorëve të projektit po realizohen reformat për shërbim sa më të shpjete të qytetarëve, por sa janë efikase këto reforma do të tregojnë vetë qytetarët.

“Nga shërbimet të Kadastrës nuk jam e kënaqur, sepse është një maltretim i njerëzve. Tash unë përsëri duhet të shkoj atje ku më kanë bërë elaboratin e objektit dhe t’i nxjerr dokumentet për herë të dytë, gjë që nuk është në rregull”, thotë Nadica Tripunovska, pensioniste.

“Ka radhë të gjata për pritje dhe kështu nuk mund të bëjnë asgjë. Sipas meje, çdo ditë ka shumë njerëz dhe nuk mund të mbarosh punë me kohë”, shprehet Cvetko Simonovski, gjithashtu pensionist.

Qytetarët thonë se ende nuk arrijnë të marrin shërbimet efikase, siç janë paraparë në këtë projekt, për të cilin Bashkimi Evropian ka ndarë një fond prej 600.000 eurosh. Ky projekt do të përmbyllet në nëntor dhe në 12 muajt e realizimit të tij është zbatuar nëpër 25 institucione shtetërore.