Dy kandidatët në balotazh për komunën e Bogovinës nisën fushatën për rrethin e dytë të zgjedhjeve.
Kandidati i VLEN, Feti Abazi, tha gjatë ditës do të trokasë në çdo derë për të kërkuar mbështetje, ndërsa fokusi do të jetë te ujësjellësit.
“Do të vazhdojmë me programin tonë edhe këtë afat dyjavor, mundësisht të arrijmë te qytetari i fundit, lidhur me problematikat e ujësjellësve që i kemi në territorin e komunës së Bogovinës, investimet kapitale të projekteve infrastrukturore dhe në ekologji, me pastrimin, gjegjësisht intervenimin te deponitë e egra që i kemi. Pastaj qasja jonë institucionale do të jetë për një komunë apo institucion transparent”, theksoi Feti Abazi – kandidat i VLEN-it për Bogovinë.
Besnik Emshiu nga AKI, tha se do të fokusohet në promovimin e projekteve të realizuara deri më tani, duke u dëshmuar qytetarëve se mandati ka qenë i suksesshëm, ndërsa pret arritjen e rezultatit më të mirë në rrethin e dytë.
“Gjatë këtij mandati katërvjeçar janë realizuar shumë projekte; afër 13 janë fituar dhe në mandatin tjetër do t’i hapim thirrjet për t’i realizuar këto projekte. Projektet kryesore që i kemi realizuar në komunën e Bogovinës janë salla e sportit, e cila ka qenë kërkesë e kamotshme e banorëve të Bogovinës; pastaj kemi realizuar ujin për pije në Pirok, ku është duke u punuar”, u shpreh Besnik Emshiu – Kandidat I AKI-së për Komunën e Bogovinës.
Raundi i parë në Bogovinë përfundoi me rezultat në favor të kandidatit të VLEN-it, i cili mori 5.295 vota, ndërsa ai i AKI-së 5.207, po asnjëri nuk arriti 50%+1 e nevojshëm për të fituar që në raundin e parë.