Nafie Selmani, këshilltare në Komunën e Çairit nga radhët e Alternativës, ka dhënë dorëheqje nga partia.
Kjo, pasi siç sqaron ajo nëpërmjet një shkrimi në Facebook, pasi AAA nuk propozoi asnjë grua për bartëse të funksioneve shtetërore pasi u bë pjesë e Qeverisë.
Siç kuptohet nga shkrimi i saj, revolta më e madhe është shkaktuar pasi zëdhënësi i AAA-së, Orhan Murtezani i pyetur nga mediat tha se emrat e propozuar janë bazuar në potencial, e jo në përkatësi gjinore.
“Nuk kam reaguar deri në këtë moment, e bindur se megjithatë e keqja më e madhe e shqiptarëve është BDI, e duke mos dashur edhe ta dëmtoj dikë më pak fajtor!
Mirëpo, të thuhet se në Alternativë nuk ka pasë kuadro nga radhët e grave, e të flitet për njëfarë potenciali, është turp i pafalshëm. Pa dashur të bëj krahasime mes burrave dhe grave në atë parti, po them vetëm se mjafton të shikohet lista e të sapo zgjedhurve dhe të bindemi se nuk është aspak e vërtetë se kjo parti nuk ka gra të cilat njësoj, bile shumë më mirë se burrat e zgjedhur tashmë, do i kryenin detyrat e përgjegjësitë në ato funksione!”, shkroi Selmani, transmeton TV21.
Ka bërë të ditur se dorëheqjen tashmë e ka deponuar në Kryesinë Qendrore të partisë në mbledhjen e fundit.
Reagimin e përmbyll duke kritikuar ashpër partitë shqiptare, se po të mbetej në duart e tyre, gratë nuk do të kishin as të drejtë vote.
“Me këtë rast, miqtë e mi, e para së gjithash mbështetësit e mi, i informoj se që në mbledhjen e fundit të Kryesisë Qendrore kam dhënë dorëheqje nga çdo rol dhe angazhim në partinë Alternativa! Dhe, një nga arsyet kryesore për dhënien e dorëheqjes time është pikërisht mospërfaqësimi i grave në ekzekutiv!
Dhe, për fund me duhet të them se fatmirësisht e falë disa normave juridike/kushtetuese, por edhe imazhi përpara ndërkombëtarëve bën që të paktën simbolikisht gruaja shqiptare të jetë e përfaqësuar në jetën politike. Ndryshe, sa për partitë tona, ndoshta edhe e drejta e votës do t’i mohohej gruas shqiptare!”, përfundon reagimin e saj.
Ndërkaq zëdhënësi i AAA-së, Orhan Murtezani në pyetjen se pse në listën e emrave të propozuar nuk ka asnjë femër, është përgjigjur:
“Kemi zhvilluar diskutim të gjere brenda organeve të partisë. Ka pasur disa oferta të caktuara, të cilat nuk janë pranuar, dhe në fund kur Kryesia ka votuar listën, nuk jemi prirur nga ajo se është mashkull apo femër, por thjesht nga potenciali kadrovik që e kemi pasur dhe kuadrot që kanë shfaqur gatishmëri që tu prijnë atyre institucioneve”./TV21

