Qendra aktuale klinike është shumë e vjetër dhe e amortizuar në çdo aspekt, objekti nuk ofron kushte të përshtatshme as për të punësuarit dhe as shërbime adekuate.
Kështu u shpreh Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali në një instervistë për AIM, duke vlerësuar se projekti për një Qendër të re Klinike duhet të realizohet.
“Unë kam ndërmarrë iniciativë që të flas edhe me opozitën edhe me pushtetin, marrë parasysh se jemi pjesë e shumicës parlamentare me pushtetin e kam më lehtë që të flas sepse iniciativa ekziston tashmë që më herët, megjithatë po mundohem të jem hallka që i lidh të dyja blloqet për një projekt që është mbi politik, me interes kombëtar”, tha Sali.
E nga ministria e Shëndetësisë për TV21 theksuan se klinika në fjalë është çështje nacionale dhe janë duke u zhvilluar negociata më të gjera për disa pika.
Nga atje shtojnë se është i nevojshëm një konsensus më i gjerë politik.
Ndryshe në shkurt të vitit 2019 Qeveria solli vendim që në komunën Gjorçe Petrov, në një sipërfaqe prej 90 hektarësh në pronësi dominuese shtetërore, të ndërtohet Qendra e re Klinike Universitare, në lokacionin e ashtuquajtur Vele Pole. Lajmin e pati kumtuar ish ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.
“Është bërë vlerësimi i lokacioneve sipas metodologjisë adekuate dhe u zgjodh lokacioni Gjorçe Petrov, para së gjithash për shkak të tokës, e cila është krejtësisht në pronësi të shtetit, pastaj për shkak të çmimit, i cili është më i ulët, si dhe për shkak se atje do të jetë më lehtë të ndërtohet qendra”, pati thënë më 5 shkurt 2019, Venko Filipçe.
Por me këtë projekt nuk u pajtua opozita maqedonase VMRO-DPMNE, e cila e bllokoi propozim-ligjin në Kuvend me mbi 2 mijë amandamente, duke thënë se nuk ekziston akoma projekt për qendrën klinike por vetëm studim fizibiliteti i cili parashikon që projekti të kushtojë 508 milionë euro. Të kontaktuar nga TV21, VMRO-DPMNE sot nuk deshi të jap përgjgije.
