Ballkan i koordinuar i cili do të punojë së bashku, është mesazhi i takimit të sotëm të shefeve të qeverive të Evropës juglindore, anëtarë të NATO-s që mbahet sot në Sofje.
Kryeministri bullgar Kiril Petkov i cili është nikoqir i takimit, tha se zhvillimet në Ukrainë e vënë rajonin nën kërcënim, andaj është i rëndësishëm koordinimi në nivel të Ballkanit. Në këtë takim u diskutua edhe për temën Maqedoni-Bullgari. Për herë të parë pas formimit të qeverive të reja, kryeministrat njoftuan se është arritur përparim në negociata.
Pushtimi rus i Ukrainës ka ndikim të madh ndaj Ballkanit, ndërsa sot u arrit marrëveshje për rezistencë që do të thotë kundërshtim i lajmeve të rrejshme, rritje të pavarësisë energjetike dhe rritje të shkëmbimit tregtar mes vendeve të Evropës juglindore. Në tryezë është edhe tema për lidhshmërinë dhe korrupsionin lokal.
Në margjinat e këtij takimi u mbajt edhe takim dypalësh mes Kovaçevskit dhe Petkovit prapa dyerve të mbyllura.
