A po i rrëshqet Alternativës shëndetësia nga duart? TV21 mëson se po bëhen kalkulimet për shkëmbime resorësh

TË FUNDIT

Me zgjerimin e mundshëm të shumicës, Alternativës i kanoset rreziku që disa resorë t’i shpëtojnë nga duart. TV21 mëson së Ministria e Shëndetësisë që udhëhiqet po nga kjo parti, është e para që do të kalojë nën udhëheqjen e Aleancës për Shqiptarët, nëse bëhet pjesë e qeverisë. Po ashtu TV21 nga burime të tij mëson se ASH do të mund duhet të zgjedh mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe Bujqësisë, me të cilat drejton LSDM, mes asaj të Arsimit dhe Mjedisit, që aktualisht janë të BDI-së. Nëse eventualisht ASh i kërkon dy resorë nga e njëjta parti, atëherë LSDM e BDI mes vete do të bëjnë këmbime të resorëve. Kryeministri Dimitar Kovaçevski vazhdon të mohojë se kanë diskutuar me kreun e opozitares Arben Taravarin për ndarjen e kulaçit.

“Kur bëhet qeveri kjo nuk do të thotë që dikush do të tërhiqet nga ndonjë pozitë ose dikush do të marr një resor të caktuar, por bëhet fjalë për krijim qeveria mbi vlera dhe program, ku çdo parti politike duhet të ketë përgjegjësi për resorë të caktuara. Nëse kemi bisedime konkrete për hyrje të Aleancës në qeveri, atëherë gjithsesi se të gjitha resorët normalisht se do të shqyrtohen, do të shihet se cilat janë përparësitë dhe afinitetet e partive të caktuara në fusha të caktuara”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

I pyetur për zërat që Alternativës mund ti merret Ministria e Shëndetësisë, sekretari gjeneral i kësaj partie, Zeqirja Ibrahimi, nuk komentoi, pasi tha se në deklaratat zyrtare Kovaçevski dhe Taravari nuk kanë pohuar për hyrjen e ASh-së në Qeveri.

“Kjo puna e pjesëmarrjes në Qeveri dhe kush-çfarë resorësh merr, nuk është kjo punë që dikush shfaq diku një dëshirë dhe ne duhet të gjithë të merremi me dëshirat e këtilla, për shkak së atëherë kjo i bie që të mos punojmë fare por të merremi me dëshirat e të tjerëve”, tha Zeqirja Ibrahimi, sekretar i përgjithshëm i Alternativës.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se deri tash nuk ka pasur ndonjë takim ose bisedime për ndarje resorësh.

“Nëse ka ndonjë interesim nga Qeveria ose subjektet e tjera për takim, do të bëhet publik, çfarëdo qoftë tema e bisedimeve. Informacionet për ministri dhe emra konkretë janë tërësisht të pavërteta dhe sensacione mediatike”, thonë nga Aleanca për Shqiptarë.

Dje kryetari i Alternativës, Afrim Gashi e ka takuar kryeministrin Kovaçevski.

“U diskutua për aktualitetin politik, duke u ndalur në veçanti në implementimin e marrëveshjes politike të nënshkruar mes Alternativës dhe LSDM-së vitin e kaluar e duke i dhënë shtytje zbatimit sa më të shpejtë të kësaj marrëveshje. Në takim është biseduar edhe për mundësinë e zgjerimit të shumicës parlamentare dhe bashkërisht është konstatuar se hëpërhë nuk ka ndryshuar asgjë në pikëpamje të numrave të shumicës”, thonë nga Alternativa.

Javën e ardhshme pritet të takohen liderët e partive qeverisëse bashkë me përfaqësues të opozitares ASh.